Burnham: Rusia ndërhyri në referendumin për Brexit

Kryeministri britanik Andy Burnham, deklaron se Rusia ka ndërhyrë në referendumin e vitit 2016 për daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE.

Në një intervistë për podcastin “The Rest Is Politics: Leading”, Burnham tha se ka marrë një përgjigje të qartë nga autoritetet britanike se ndërhyrja ruse ka ndodhur.

Gjithashtu kreu i qeverisë britanike paralajmëroi për ndikimin e Moskës në politikën evropiane, duke përmendur veçanërisht Gjermaninë dhe Francën.

“Ka informacione të rreme dhe dezinformim që vijnë nga Rusia dhe ndikojnë në politikën gjermane. Kur mbërrita në Downing Street, pyeta nëse Rusia kishte ndërhyrë në referendumin e vitit 2016 për Brexit-in. Përgjigjja që mora ishte e qartë: po, kishte ndërhyrë. Është e rëndësishme që këto fakte të bëhen publike, në mënyrë që votuesit në Gjermani dhe Francë të kuptojnë se një pjesë e zhvillimeve politike nxitet nga kundërshtarët tanë, konkretisht Rusia. Mendoj se kemi qenë tepër pasivë dhe nuk i kemi informuar sa duhet qytetarët për përpjekjet e huaja për të ndikuar dhe destabilizuar proceset politike”, tha Burnham.

Gjatë intervistës, ai përmendi edhe partinë e ekstremit të djathtë në Gjermani, AfD-në, për të cilën u shpreh se ka lidhje me Rusinë.

Moska i ka mohuar më parë akuzat për ndërhyrje në referendumin e Brexit-it.

Ndërkohë, një raport i komisionit parlamentar britanik të inteligjencës, i publikuar në vitin 2020, theksonte se autoritetet nuk kishin arritur të përcaktonin nëse Rusia kishte ndërhyrë në referendumin e vitit 2016.