Protestat e nxënësve në Francë kundër cilësisë në arsim dhe mungesës së burimeve financiare vijojnë, ndërsa presidenti Emmanuel Macron ka dënuar ashpër aktet e dhunës gjatë demonstratave.
Macron u bëri thirrje të rinjve që kërkesat e tyre t’i shprehin në mënyrë paqësore.
“Natyrisht, nuk do të toleroj dhe as justifikoj asnjë formë dhune. Ajo që kemi parë mes nxënësve të shkollave të mesme, përfshirë edhe persona që nuk janë më nxënës, të cilët përfitojnë nga situata për të ndezur zjarre, për të shkatërruar pronën apo për t’u përfshirë në akte dhune, është thjesht e papranueshme”, tha Macron.
Ndërkohë, në Paris, nxënësit kanë bllokuar hyrjet e shkollave të mesme, duke kërkuar më shumë investime në arsim dhe trajtim më të barabartë.
Macron pranoi se problemet e arsimit kërkojnë vëmendje dhe dialog, duke theksuar se zgjidhjet duhet të gjenden përmes konsultimeve dhe respektit të ndërsjellë.
Pavarësisht provimeve të kësaj jave, studentët paralajmërojnë se do të vijojnë protestat.



