Studentët kundërshtojnë propozimin e Shasivarit për ta dërguar zgjidhjen në Venecia

E vlerësuan si arritje, por studentët u ndanë të pakënaqur me modelin që e promovoi ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari për provimin e jurisprudencës, respektivisht që 12 provime të pjesës teorike të jepen në shqip, ndërsa 2 provime të praktikës në maqedonisht. Ndonëse bisedimet pritet të vazhdojnë, studentët insistojnë që provimi të jepet tërësisht në shqip.

“Kërkesa jonë ka qenë që provimi i jurisprudencës të mbahet 100%, mirëpo në konsultë me studentë, ne do të konsultohemi edhe me studentët tanë dhe do të marrim një vendim. Mirëpo nga ajo që e dimë dhe jemi të informuar është që provimi i jurisprudencës prej nesh kërkohet që të jepet 100%. Por ja që nuk jepet, edhe? Atëherë, është e drejtë kushtetuese, shihemi në protestë. Do të protestoni nëse nuk bëhet 100%? S’ka dyshim”, tha Suhejb Memedi, Lëvizja Studentore.

Studentët kanë kundërshtuar edhe paralajmërimin e ministrit të Drejtësisë Jeton Shasivari për ta dërguar zgjidhjen ligjore për mendim në Komisionin e Venecias.

“Kundërshtuam dërgimin në Komisionin Venecian. Ne kemi përgjigje nga Parlamenti Evropian, nuk na duhet edhe një përgjigje nga Komisioni Evropian. Parlamenti Evropian ka thënë shumë qartë, gjuha shqipe duhet të zbatohet te të gjitha provimet shtetërore”, theksoi Mevlan Ademi, Lëvizja Studentore.

Studentët, paralajmërojnë protesta gjithashtu edhe nëse për të gjitha provimet tjera shtetërore do të kërkohet që të harmonizohen ligjet.

“Nëse votohet ky ligj i ri, kjo nënkupton shkelje e një ligji që e kemi. E tani jemi fokusuar shumë te kjo dhe kemi shumë çështje tjera të hapura. Konkretisht? Konkretisht te kjo, do të shihet edhe qëndrimi si do jetë te qëndrimet tjera, nëse do të kërkohet që ligj të bëhet për secilin provim shtetëror që do të organizohet, normalisht që do të jemi aty në protestë dhe do të kundërshtojmë”, thotë Mevlan Ademi, Lëvizja Studentore.

Sipas paralajmërimit të Ministrisë së Drejtësisë, çështja e provimit të jurisprudencës do të trajtohet nga ana e Komisionit të Venecias në sesionin e 11 dhe 12 dhjetorit./Alsat.mk.