Modeli që po shqyrtohet në Ministrinë e Drejtësisë parasheh që 12 provime të jepen në gjuhën shqipe, ndërsa dy lëndë themelore, E Drejta Civile dhe E Drejta Penale, të mbeten në gjuhën maqedonase. Pjesa praktike do të zhvillohej në shqip. Ndërkohë, ministri Jeton Shasivari paralajmëron se për zgjidhjen ligjore do të kërkohet edhe mendimi i Komisionit të Venecias, gjë që duket se edhe kjo zgjidhje gjysmake do vonohet
Ersan PAJAZITI
Shkup, 19 tetor – Provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe mund të bëhet realitet, por jo në tërësinë e tij. Ndonëse Ministria e Drejtësisë ka nisur konsultimet për eliminimin e barrierave gjuhësore, modeli që po shqyrtohet parasheh që kandidatët shqiptarë të vazhdojnë t’i nënshtrohen provimit në gjuhën maqedonase për dy nga lëndët themelore të jurisprudencës. Sipas informacioneve që ka siguruar gazeta KOHA, zgjidhja e propozuar parasheh që 12 provime të jepen në gjuhën shqipe, ndërsa dy lëndë themelore, E Drejta Civile dhe E Drejta Penale, të mbeten në gjuhën maqedonase. Nga ana tjetër, pjesa praktike e provimit do të mund të zhvillohet në gjuhën shqipe. Nëse miratohet në këtë formë, modeli do të përbënte një ndryshim të rëndësishëm në raport me praktikën e deritanishme, por jo realizimin e plotë të kërkesës së studentëve shqiptarë për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën në të cilën kanë përfunduar studimet.
Pikërisht përjashtimi i së drejtës civile dhe së drejtës penale ngre pikëpyetje mbi arsyetimin juridik dhe profesional të kësaj zgjidhjeje. Bëhet fjalë për dy fusha themelore të sistemit juridik, të cilat zënë vend qendror në formimin dhe përgatitjen profesionale të juristëve. Për rrjedhojë, mbetet e paqartë se mbi cilat kritere është bërë përzgjedhja e lëndëve që do të mund të jepen në shqip dhe e atyre që do të mbeten në maqedonisht.
Ndërkohë, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka paralajmëruar një zgjidhje më të gjerë ligjore, e cila nuk do të kufizohet vetëm në gjuhën shqipe, por do të përfshijë edhe kandidatët që kanë përfunduar studimet juridike në gjuhën turke dhe angleze. Para takimit me përfaqësuesit e fakulteteve juridike dhe studentët, Shasivari deklaroi se Ministria synon të hartojë një zgjidhje bashkëkohore, juridikisht të qëndrueshme dhe të orientuar drejt standardeve evropiane.
“Duam të arrijmë deri te një zgjidhje bashkëkohore, juridikisht e qëndrueshme dhe e orientuar drejt Evropës, e cila do t’i marrë parasysh nevojat e të gjithë studentëve që arsimin e tyre të lartë juridik e fitojnë në gjuhë të ndryshme”, deklaroi Shasivari. Ministri paralajmëroi se gjatë konsultimeve do të prezantohet modeli i propozuar, do të shpjegohet baza e tij juridike dhe do të dëgjohen qëndrimet, propozimet dhe vërejtjet e studentëve dhe përfaqësuesve të fakulteteve juridike.
“Nuk duam që zgjidhjet ligjore të miratohen pas dyerve të mbyllura, ndërsa studentët dhe fakultetet të vendosen para një akti të kryer. Duam një proces në të cilin vërejtjet, propozimet dhe argumentet e tyre do të kenë peshë reale”, deklaroi ministri. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse konsultimet do të sjellin ndryshime në modelin e propozuar, veçanërisht në pjesën që parasheh mbajtjen e dy provimeve themelore në gjuhën maqedonase. Një tjetër çështje që hap debat është paralajmërimi për kërkimin e mendimit të Komisionit të Venecias. Ndonëse konsultimi me këtë organ këshillëdhënës të Këshillit të Evropës mund të shërbejë për vlerësimin e përputhshmërisë së zgjidhjes me standardet juridike evropiane, mbetet e paqartë pse një çështje e ngritur prej vitesh dhe e trajtuar në kuadër të legjislacionit vendor kërkon edhe një vlerësim të tillë ndërkombëtar.
Po ashtu, nuk është sqaruar nëse mendimi i Komisionit të Venecias do të kërkohet për të gjithë modelin ligjor apo për dispozita të caktuara që lidhen me përdorimin e gjuhëve gjatë provimit të jurisprudencës. Një procedurë e tillë ngre edhe pyetjen nëse do të ndikojë në afatin e miratimit të ndryshimeve, në një kohë kur studentët shqiptarë vazhdojnë të presin zgjidhjen e kërkesës së tyre.
Qasja e tanishme e Shasivarit dallon edhe nga mënyra se si e kishte trajtuar këtë çështje para marrjes së detyrës ministrore. Si profesor universitar, ai kishte mbështetur publikisht kërkesën e studentëve shqiptarë, duke argumentuar se legjislacioni nuk e ndalonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe se ekzistonte hapësirë juridike për realizimin e saj. Tani, nga pozita e ministrit të Drejtësisë, Shasivari propozon një formulim më të gjerë ligjor, i cili do të përfshijë edhe gjuhët e tjera në të cilat zhvillohen programe të akredituara të studimeve juridike. I pyetur nga gazetarët se çfarë nënkuptohet konkretisht me formulimin “gjuhë tjetër”, ministri sqaroi se aty përfshihet edhe gjuha shqipe.
“Kur thuhet gjuhë tjetër në të cilën kandidatët i kanë kryer studimet juridike, aty nënkuptohet gjuha shqipe”, deklaroi Shasivari, duke përmendur praninë e përfaqësuesve të tre fakulteteve juridike që zhvillojnë studime të ciklit të parë dhe të dytë në gjuhën shqipe.
Ai sqaroi se formulimi i propozuar do të përfshijë edhe universitetet që zhvillojnë programe juridike të akredituara dhe të licencuara nga shteti në gjuhën angleze dhe turke, duke iu referuar mundësive që ofron Ligji për Arsimin e Lartë. Ndërkohë, i pyetur për qëndrimet e tij të mëparshme si profesor universitar dhe përgjegjësinë që ka tani si ministër, Shasivari deklaroi se mbetet konsekuent në qëndrimin për zgjidhjen e kësaj çështjeje. “Si profesor universitar i drejtësisë, me përvojë 25-vjeçare, e kam analizuar problemin dhe kam gjetur se ka zbrazëtira, ka çështje që duhet të rregullohen dhe si ministër i Drejtësisë jam këtu për ta zgjidhur problemin”, deklaroi ai.
Ministri shprehu vendosmërinë për eliminimin e pengesave gjuhësore, duke përdorur edhe një metaforë për kohën që, sipas tij, ka mbetur deri te zgjidhja. “Unë personalisht, përllogaritjet, nuk i bëj me kalkulator, por i bëj me orë dore. Dhe jam duke i numëruar mbrapsht ditët dhe orët për heqjen e kësaj barriere gjuhësore 35 vjeçare”, deklaroi Shasivari. Por, pavarësisht këtij paralajmërimi, Ministria e Drejtësisë ende nuk ka përcaktuar një afat konkret për miratimin e ndryshimeve ligjore. Nuk është sqaruar as nëse konsultimet me studentët dhe fakultetet juridike do të zhvillohen paralelisht me procedurën ligjore apo do t’i paraprijnë asaj. (koha.mk)



