Jastëku për qafë nuk e ndihmoi të fshihte arin, kapet në tentativë për kontrabandë pronari i argjendarisë nga Tetova

Një jastëk për qafë ishte vendi ku një pronar argjendarie nga Tetova kishte fshehur 77 copë stoli ari, me peshë prej 612 gramësh dhe vlerë rreth katër milionë denarë, rreth 65 mijë euro. Por, tentimi për t’i futur ilegalisht në vend dështoi në pikën kufitare “Bogorodicë”, ku zyrtarët doganorë zbuluan bizhuteritë gjatë kontrollit të një autobusi që udhëtonte nga Stambolli drejt Gostivarit.

Sipas njoftimit të Drejtorisë së Doganave, asnjë nga udhëtarët nuk kishte deklaruar mallra për kontroll doganor. Kjo bëri që autobusi t’i nënshtrohej një kontrolli më të detajuar, gjatë të cilit ari u zbulua i fshehur brenda jastëkut që mbante me vete i dyshuari.

“Gjatë procedurës parahetimore, të zhvilluar nga Njësia e Hetimeve, janë siguruar prova se personi, pasi e kishte blerë stolinë e arit në një punishte argjendarie në Stamboll, kishte për qëllim ta transportonte ilegalisht në vend dhe ta shiste në dyqanin e tij të argjendarisë.Ndaj pronarit të argjendarisë është ngritur kallëzim penal për veprën penale “kontrabandë”, e dënueshme sipas Kodit Penal”, thonë nga Drejtoria e Doganave.