Mevlan Ademi nga Lëvizja Studentore ka reaguar lidhur me propozimin për zhvillimin e provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke vlerësuar se zgjidhja e propozuar nuk garanton mbajtjen e plotë të provimit në shqip dhe nuk përcakton afate konkrete për zbatimin e saj, përcjell tetova1
Ademi thekson se, pavarësisht përparimit të pretenduar në drejtim të përdorimit të gjuhës shqipe, ende mungojnë hapa konkretë për një zgjidhje të plotë, ndërsa kritikon anashkalimin e Kushtetutës dhe ligjeve ekzistuese. Ai gjithashtu shpreh pakënaqësi për atë që e konsideron mungesë të angazhimit të mjaftueshëm nga përfaqësuesit politikë shqiptarë.
Sipas tij, për arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme nevojitet bashkëpunim i përbashkët i të gjithë përfaqësuesve shqiptarë. Megjithatë, Ademi paralajmëron se studentët mund t’u rikthehen protestave, duke theksuar se nuk kanë kohë për, siç shprehet ai, lojëra politike.
Postimi i plotë:
“Si përfundim provimi i Jurisprudencës mbetet në gjuhën maqedonase!
Qëndrimi i zv/Kryeministrave Fetai dhe Sali u harruan por ai i shprehur nga Kryeministri në shkurt për Komisionin e Venecias mbetet i njejti sigurisht.
Propozimi nuk parasheh mbajtjen e provimit 100% në shqip, nuk jepet afat kohor, anashkalohen Kushtetuta dhe ligjet ekzistuese, ndërsa për provimet e tjera ende nuk ka hapa konkretë.
E çfarë duhet të bëjmë ne tani?
Pozitive është të paktën në mentalitet sepse nga “s’mundet përvec se maqedonisht” të Filkovit shkuam në propozimin 50/50 të Mickoskit e tani kemi arritur në 84% në gjuhën shqipe. Rruga është e mirë, por e vështirë.
Për një zgjidhje të plotë është i domosdoshëm bashkëpunimi dhe angazhimi i përbashkët i të gjithë përfaqësuesve shqiptarë.
Por ne studentë s’kemi kohë të humbim me lojëra politike dhe ndoshta do organizohemi sërisht t’i kthehemi rrugës…”, ka përfunduar Ademi./tetova1.mk



