Çmimi i naftës kalon 114 dollarë për fuçi

Çmimet e naftës u rritën sërish të premten, pasi sulmet e rebelëve Houthi në Arabinë Saudite shtuan shqetësimet për ndërprerje të mëtejshme të furnizimeve nga Lindja e Mesme.

Çmimi i naftës së papërpunuar të llojit “Brent” u rrit me rreth 1,30 dollarë duke tejkaluar 114 dollarë për fuçi. Nafta amerikane u rrit me rreth 1,37 dollarë duke tejkaluar në 100 dollarë për fuçi.

Nafta “Brent”, e cila të enjten arriti nivelin më të lartë që nga 4 maji, pritet të mbyllet me rritje për të tretën javë radhazi, ndërkohë që edhe nafta amerikane është në kurbën e rritjes për të dytën javë radhazi.

Agjencia e lajmeve Reuters raportoi se kompania “Saudi Aramco” urdhëroi evakuimin e selisë së saj në Dhahran, në Gjirin Persik pranë Bahreinit, ndërsa luftimet u intensifikuan midis eksportuesit më të madh në botë të naftës së papërpunuar dhe Houthëve të mbështetur nga Irani me bazë në Jemen.

Analistët thanë se “tregjet janë gjithnjë e më të shqetësuara për një përshkallëzim të ri në Gjirin Persik, një skenar që mund të kërcënojë transportin e naftës”.

“Nëse sulmet vazhdojnë dhe vonojnë dërgesat, çmimet e larta do të kenë një bazë më të qëndrueshme”, tha një analiste për Reuters.

Ndërkohë në Libi, një valvul në tubacionin e naftës që lidh fushat e naftës Hamada dhe Tahara me portin e Zawiya-s është mbyllur, gjë që ka çuar në uljen e prodhimit në të dyja fushat, duke nxitur shqetësime të reja për rritjen e çmimeve.