Netanyahu urdhëron mbylljen e Bregut Perëndimor pas plagosjes së pesë izraelitëve në një sulm me armë zjarri

Kryeministri Benjamin Netanyahu urdhëroi mbylljen e Bregut Perëndimor të pushtuar, menjëherë pasi dy persona të armatosur palestinezë hapën zjarr të premten ndaj një pike kontrolli ushtarake izraelite, duke plagosur të paktën pesë persona.

Dy nga të plagosurit janë në gjendje kritike, sipas shërbimit izraelit të emergjencës, Magen David Adom.

Pas sulmit, ushtria izraelite vendosi një “rrethim të plotë” të qytetit të Hebronit. Netanyahu tha se kishte urdhëruar Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) të përgatiteshin për mbylljen e plotë të Bregut Perëndimor, duke filluar nga sot, por ende nuk është e qartë se kur do të hyjë saktësisht në fuqi kjo masë dhe sa do të zgjasë.
Të dy personat e armatosur u qëlluan për vdekje, njoftuan Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) në një deklaratë. Ndërkohë, forcat izraelite vazhduan kontrollet në të gjithë zonën për të gjetur persona të tjerë që mund të kenë lidhje me sulmin.

Nuk ishte e qartë menjëherë nëse ndonjëri nga të plagosurit ishte ushtar apo civil.

Videot nga vendi i ngjarjes tregojnë një shkëmbim zjarri mes personave të armatosur palestinezë dhe forcave izraelite, i cili zgjati të paktën disa minuta, me breshëri të përsëritura armësh që dëgjoheshin në zonë. Në njërën nga videot e Reuters, një pjesëtar i ekipeve izraelite të emergjencës dëgjohet duke bërtitur se të shtënat kishin vazhduar për të paktën 20 minuta dhe se po përballeshin me vështirësi për t’i larguar të plagosurit nga vendi i ngjarjes.

Sulmi ndodhi vetëm katër ditë para zgjedhjeve në Izrael, të parat që nga sulmi i 7 tetorit 2023, i udhëhequr nga Hamasi. Zgjedhjet përbëjnë një sprovë të rëndësishme për Netanyahun, i cili është përpjekur ta paraqesë veten si një lider të vendosur në çështjet e sigurisë.

IDF-ja njoftoi se kishte gjetur një automjet të përdorur nga personat e armatosur për të kryer sulmin, brenda të cilit ndodhej një “sasi e madhe” municionesh.

“Ky ishte një sulm i rëndë terrorist”, deklaroi shefi i Shtabit të Përgjithshëm të IDF-së, gjenerallejtënant Eyal Zamir, pas një vlerësimi të situatës.

“Veprimi i shpejtë i luftëtarëve parandaloi një sulm edhe më të rëndë dhe dëme të mëtejshme ndaj civilëve dhe forcave të sigurisë”, tha ai.

Zamir shtoi se municionet e gjetura në automjet synohej të përdoreshin “për të kryer një sulm në shkallë shumë më të gjerë”.