The Washington Post: Stafi i shefit të Pentagonit dëmton globin historik të Eisenhower

Një objekt historik i përdorur nga ish-presidenti amerikan Dwight D. Eisenhower gjatë Luftës së Dytë Botërore është dëmtuar gjatë një përpjekjeje për ta zhvendosur brenda Pentagonit.

Sipas The Washington Post, globi ishte kërkuar nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, për t’u vendosur në zyrën e tij.

Eisenhower, gjeneral me pesë yje gjatë luftës dhe president i Shteteve të Bashkuara nga viti 1953 deri më 1961, njihej për pasionin e tij për globet e mëdha tokësore, të cilat i përdorte edhe në punën e tij.

Në Pentagon ruhen dy globe me diametër rreth 76 centimetra, të cilat, sipas një pllake shpjeguese, datojnë nga vitet 1930 dhe janë përdorur nga Eisenhower gjatë luftës. Për dekada, ato janë ruajtur si pjesë e trashëgimisë historike të institucioneve ushtarake amerikane.

Sipas burimeve të cituara nga gazeta amerikane, në fillim të vitit Hegseth kërkoi që njëri prej globeve të zhvendosej në zyrën e tij.

Ndryshe nga procedurat e zakonshme, të cilat parashikojnë transportin nën mbikëqyrjen e specialistëve të dokumentacionit historik, detyra iu besua një ekipi të vetë stafit të sekretarit.

Gjatë transportit, punonjësit humbën kontrollin e objektit, i cili ra mbi bazën e tij. Goditja shkaktoi një çarje disa centimetra të gjerë në mbështjellësin e brishtë të globit, në zonën që paraqet Antarktidën.

Gjithashtu, pjesa sferike u shkëput nga mbështetësja metalike që mundëson rrotullimin e saj.

Ushtria amerikane konfirmoi në një email se dëmtimi ndodhi më 3 shkurt, gjatë një tentative për zhvendosjen e objektit. Zëdhënësi Christopher Surridge sqaroi se globi nuk u transferua përfundimisht në zyrën e Hegseth.

Ngjarja ka shkaktuar komente dhe batuta brenda Pentagonit, ndërsa dëmtimi i një objekti me vlerë historike ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si u organizua transporti dhe pse nuk u ndoqën procedurat e zakonshme të ruajtjes së artefakteve.