Kurti, për rastin e Arlinda Zekajt: Shihet qartë që ka pasur lëshim nga institucionet, nesër para orës 18 i pres raportet

Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të qeverisë, ka përshëndetur arrestimin e Albert Sylajt, i dyshuari kryesor për vrasjen e Arlinda Zekajt.

Përpara kabientit qeveritar, Kurti tha se secila vrasje është vepër e rëndë, por që rëndohet edhe më shumë kur “qartazi shihet se ka pasur një zinxhir sistemor lëshimesh nga institucionet që janë përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë”, transmeton IndeksOnline.

“Një vrasje me të tilla paralajmërime që nuk merrnin përgjigje, në fakt, nuk kishte si të përfundonte ndryshe. Dhe kjo e bën edhe më të pafalshme situatën”, tha kryeministri.

Ai përmendi afatin e dhënë për ministrat Donika Gërvalla dhe Xhelal Sveçla, për raportin e detajuar mbi evidencat dhe lëshimet në hallkat institucionale në këtë rast.

“Si kryeministër, kam kërkuar nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Brendshme një raport të detajuar mbi evidencat dhe lëshimet në secilat hallka të institucioneve.

Tash kur po flasim kanë mbetur edhe 34 orë për hartimin dhe dorëzimin e atij raporti që sigurisht se do ta ndajmë me publikun. Nesër mbrëma para orës 18:00 i pres raportet”, shtoi Kurti.

Kryeministri ka ngritur shqetësime edhe për funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, duke theksuar se drejtësia duhet të jetë garanci për mbrojtjen e qytetarëve.

“Drejtësia është garancia që i forti nuk do ta cenojë të dobëtin vetëm pse ata janë të tillë. Por, në Kosovën tonë, dhe ndoshta jo vetëm në Kosovë, drejtësia fatkeqësisht nuk është në mbrojtje të të dobëtit, përkundrazi drejtësia ka dalë në krahun e të fortit. Drejtësia në Kosovë vazhdon të jetë e shtrembër. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe kur peshoren e Justicias, zonjës së drejtësisë, e kanë çaluar kah i fuqishmi dhe i pasuri, ja kanë zbuluar njërin sy për të parë se kah të peshojë drejtësia, e natyrisht shpata mandej nuk ka për t’i rënë asnjëherë krimit e kriminelëve, por do të bije gjithnjë mbi të dobëtin, të varfrin dhe të pafuqishmin. Republika e Kosovës nuk ka më nevojë për asnjë provë që të konstatojë se është urgjencë kombëtare drejtimi i drejtësisë”, tha Kurti.