Shefi i policisë së Guatemalës, David Custodio dhe zëvendësi i tij, Esvin Kitche, janë shkarkuar nga detyra pas vrasjes së ish-prokurorit Juan Francisco Solorzano Fopa, i njohur për denoncimet e tij kundër korrupsionit dhe lidhjeve të dyshuara mes zyrtarëve shtetërorë dhe krimit të organizuar.
Ish-prokurori 43-vjeçar u vra më 17 tetor, në mes të ditës, përpara të birit, në një qendër sportive në kryeqytetin e Guatemalës. Ngjarja tronditi vendin e Amerikës Qendrore dhe shtoi presionin ndaj autoriteteve për të zbardhur vrasjen.
Ministri i Brendshëm, Marco Antonio Villeda, njoftoi shkarkimin e dy drejtuesve të policisë gjatë një konference për shtyp, ku ishte i pranishëm edhe presidenti Bernardo Arevalo. Sipas ministrit, vendimi është pjesë e një procesi hetimor dhe të ristrukturimit institucional të policisë, të nisur pas vrasjes së ish-prokurorit.
“Ky vendim është pjesë e procesit të rishikimit dhe ristrukturimit institucional që po kryejmë me qëllim forcimin e policisë”, deklaroi Villeda.
Solorzano Fopa kishte denoncuar vazhdimisht lidhjet e dyshuara mes politikanëve, biznesmenëve, zyrtarëve dhe organizatave kriminale, duke përmendur në veçanti bandën Barrio 18, e konsideruar ndër organizatat kriminale më të fuqishme në Guatemalë.
Ai kishte ngritur gjithashtu akuza të drejtpërdrejta ndaj ish-shefit të policisë, David Custodio, duke e lidhur atë me krimin e organizuar. Në një podcast, ish-prokurori ishte shprehur se Custodio bashkëpunonte me organizatat kriminale. Këto akuza nuk përbëjnë në vetvete provë të fajësisë së tij.



