Tragjedi në Korenë e Jugut: Partneri e goditi 514 herë për 3 orë dhe i theu 21 brinjë, vdes 28-vjeçarja

Një ngjarje makabre ka tronditur Korenë e Jugut, ku një 28-vjeçare humbi jetën pasi partneri i saj 24-vjeçar dyshohet se e dhunoi brutalisht për më shumë se tre orë. Sipas hetimeve, burri e ka goditur 514 herë brenda tre orësh e 20 minutash, duke i shkaktuar 21 brinjë të thyera dhe dëmtime të rënda në organet e brendshme. Rasti, i njohur si “vrasja nga tortura e Gangso-s”, ka nxitur reagime të forta pas publikimit të detajeve tronditëse nga një emision investigativ në televizionin SBS.

Viktima, e identifikuar me pseudonimin Lim Jan-di, jetonte me partnerin e saj në një apartament gjysmë të nëndheshëm në lagjen Gangso-gu të Seulit.

Më 20 qershor, rreth orës 14:24, partneri i saj telefonoi shërbimet e urgjencës, duke pretenduar se 28-vjeçarja kishte humbur ndjenjat. Kur ekipet e shpëtimit mbërritën në banesë, e gjetën atë në arrest kardiak, me mavijosje të shumta në trup dhe shenja të traumave të shkaktuara nga një objekt i fortë në shpinë. Përpjekjet për ta ringjallur rezultuan të pasuksesshme.

Fillimisht, 24-vjeçari pranoi para policisë se e kishte goditur partneren “disa herë” me një çekiç gome. Ai pretendoi se kishte vepruar në gjendje zemërimi, pasi nuk mund të toleronte gënjeshtrat e saj.