Kryeministri i Belgjikës, Bart De Uever, i ka paraqitur dorëheqjen e qeverisë mbretit Philippe, pas dështimit të negociatave për arritjen e një marrëveshjeje mbi buxhetin e vendit.
Pas takimit me kryeministrin, Pallati Mbretëror njoftoi se mbreti po e shqyrton dorëheqjen, duke shprehur keqardhjen që qeveria nuk arriti të gjente një kompromis për buxhetin. Mbreti Philippe paralajmëroi se, në kushtet aktuale ekonomike, Belgjika nuk mund të përballojë një krizë të zgjatur politike.
Negociatat mes De Uever dhe kabinetit qeveritar vijuan gjatë gjithë natës, por palët nuk arritën marrëveshje për planin e kursimeve dhe shkurtimet në shpenzimet publike. Në qendër të mosmarrëveshjeve ishte nevoja për të kursyer rreth 10 miliardë euro, në mënyrë që vendi të përmbushë rregullat fiskale të Bashkimit Europian dhe të ulë deficitin.
Ndërkohë, mbreti do të nisë që të martën konsultimet me kryetarët e partive të koalicionit qeverisës, ndërsa De Uever është thirrur sërish në Pallatin Mbretëror të premten.
Zhvillimet e fundit e kanë futur Belgjikën në një ngërç të ri politik, në një moment kur qeveria përballet me presion të madh për të marrë masa kritike ekonomike.



