Kryetari i Komunës së Tetovës dhe një nga liderët e koalicionit VLEN, Bilall Kasami, ka uruar kryetarin e sapozgjedhur të Komunës së Bërvenicës, Arkin Jahiji, duke i dëshiruar një mandat të suksesshëm dhe duke e ftuar të qeverisë në interes të të gjithë qytetarëve informon Tetovasot.
Në reagimin e tij publik pas përfundimit të zgjedhjeve, Kasami theksoi se kryetari i ri duhet t’u qëndrojë besnik zotimeve të dhëna gjatë fushatës.
“Kryetarit të ri të Komunës së Bërvenicës, Arkin Jahijit, i uroj mandat të suksesshëm dhe të mbarë. Ai duhet t’u qëndrojë besnik premtimeve parazgjedhore dhe të punojë për të gjithë qytetarët, pa dallim përkatësie partiake, feje apo etnie,” shkroi Kasami.
Kasami nënvizoi gjithashtu se verdikti i qytetarëve duhet respektuar.
“Qytetari ka gjithmonë të drejtë, pavarësisht motiveve me të cilat gjykon. Kjo duhet respektuar,” u shpreh ai.
Lideri i VLEN-it garantoi se koalicioni qeverisës do të mbështesë Komunën e Bërvenicës në projektet dhe nevojat që janë në kompetencë të Qeverisë.
“Si koalicion qeverisës, jemi pranë qytetarëve të Bërvenicës për të gjitha nevojat në kompetencë të Qeverisë,” deklaroi Kasami.
Në fund të mesazhit të tij, ai përsëriti angazhimin për të vazhduar punën në shërbim të të gjithë qytetarëve.
“Vazhdojmë me punë për të gjithë qytetarët pa dallim!” përfundoi Bilall Kasami.TS



