Shkruna: Nefail Emini
Më 3 nëntor, qytetarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do t’u drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet e mesmandatit, në të cilat do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Dhomën e Përfaqësuesve dhe një pjesë të anëtarëve të Senatit.
Zgjedhjet e mesmandatit të këtij viti zhvillohen në një klimë të tensionuar politike, të karakterizuar nga procese gjyqësore, konteste zgjedhore dhe akuza për ndërhyrje nga të gjitha palët politike. Presidenti Donald Trump përballet tashmë me sprovën e parë dhe të fundit zgjedhore në nivel kombëtar gjatë mandatit të tij të dytë. Rezultatet e këtyre zgjedhjeve mund të përcaktojnë ndjeshëm dinamikën politike të dy viteve të fundit të qëndrimit të tij në Shtëpinë e Bardhë.
Çfarë janë zgjedhjet e mesmandatit?
Zgjedhjet e mesmandatit (midterm elections) përkufizohen si zgjedhje që zhvillohen në gjysmën e mandatit katërvjeçar presidencial, pra në mes të mandatit të presidentit të Shteteve të Bashkuara.
Rrjedhimisht, ato mbahen dy vjet pas zgjedhjeve presidenciale. Zgjedhjet e mesmandatit zhvillohen në të gjitha shtetet amerikane dhe përfshijnë garat për pozita të ndryshme publike, me përjashtim të posteve të presidentit dhe zëvendëspresidentit.
Në këtë proces zgjedhor, qytetarët amerikanë votojnë për të zgjedhur të 435 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve, që përbën dhomën e ulët të Kongresit, si dhe një të tretën e 100 senatorëve që përbëjnë dhomën e lartë. Krahas këtyre, zhvillohen edhe mijëra gara zgjedhore për pozita në nivel shtetëror, përfshirë zgjedhjen e guvernatorëve.
Që nga zgjedhjet e nëntorit 2024, republikanët kanë gëzuar të ashtuquajturin kontroll të trefishtë institucional (governing trifecta), duke zotëruar njëkohësisht shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, si dhe kontrollin e presidencës amerikane.
Pse janë të rëndësishme zgjedhjet e mesmandatit?
Kongresi përbën njërën nga tri degët e pushtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krahas pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor. Kontrolli mbi të ka rëndësi të veçantë për përcaktimin e agjendës legjislative dhe miratimin e ligjeve.
Aktualisht, si Dhoma e Përfaqësuesve, ashtu edhe Senati kontrollohen nga Partia Republikane. Megjithatë, shumica e saj është mjaft e ngushtë. Republikanët kanë 218 vende në Dhomën e Përfaqësuesve, numër që përbën minimumin e nevojshëm për të siguruar kontrollin e kësaj dhome, si dhe mbështetjen e një deputeti të pavarur që voton në favor të tyre.
Në Senat, republikanët zotërojnë 53 vende. Kontrolli i dhomës së lartë mund të kalojë në duart e demokratëve nëse këta të fundit arrijnë të sigurojnë 51 vende. Ky numër do t’u mundësonte atyre të kapërcenin votën vendimtare të zëvendëspresidentit, i cili aktualisht është republikan, në rast se të dyja palët do të kishin nga 50 senatorë.
Nëse demokratët, si forcë opozitare, arrijnë të rimarrin kontrollin e të paktën njërës prej dy dhomave të Kongresit, ata do të fitojnë mundësinë për të iniciuar dhe sjellë në shqyrtim projektligjet e tyre, duke ndikuar drejtpërdrejt në agjendën legjislative të vendit.
Dhoma e Përfaqësuesve
Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve zgjidhen për mandate dyvjeçare dhe përfaqësojnë një nga 435 distriktet zgjedhore të Kongresit. Çdo shtet ka të garantuar të paktën një vend në këtë dhomë, ndërsa vendet e tjera ndahen në bazë të numrit të popullsisë.
Për pasojë, përfaqësimi në Dhomën e Përfaqësuesve ndryshon ndjeshëm nga një shtet në tjetrin. Disa shtete, si Kalifornia (52 vende) dhe Teksasi (38 vende), kanë numër të madh përfaqësuesish, ndërsa shtetet më të vogla, si Alaska, Delaware, Dakota e Veriut, Dakota e Jugut, Vermonti dhe Wyoming, përfaqësohen secili vetëm me nga një deputet.
Edhe pse të 435 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve janë në garë në zgjedhjet e nëntorit, më pak se 24 prej tyre konsiderohen gara të hapura dhe të paparashikueshme, në të cilat asnjëra nga partitë nuk gëzon epërsi të qartë.. Kjo lidhet edhe me praktikën e njohur si gerrymandering, përmes së cilës ridizenjohen kufijtë e distrikteve zgjedhore në mënyrë që të ndikojnë në përfaqësimin politik, duke zvogëluar numrin e vendeve realisht konkurruese.
Për të siguruar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve nevojiten 218 vende. Partia Republikane aktualisht zotëron shumicën më të ngushtë të mbajtur nga njëra prej dy partive kryesore në këtë dhomë në gati një shekull, me raportin 218 me 214 vende. Ndërkaq, Partisë Demokratike i nevojitet një fitim neto prej vetëm katër vendesh për të marrë kontrollin e kësaj dhome të Kongresit.
Senati
Senatorët amerikanë zgjidhen për mandate gjashtëvjeçare. Kjo do të thotë se në çdo cikël zgjedhor vihet në votim vetëm një e treta e vendeve në Senat. Në zgjedhjet e këtij viti do të kontestohen 35 vende, përfshirë dy zgjedhje të posaçme që do të mbahen në Florida dhe Ohio.
Aktualisht, republikanët zotërojnë 53 vende në Senat, ndërsa pjesa tjetër ndahet mes demokratëve, të cilët kanë 45 vende, dhe dy senatorëve të pavarur që janë aleatë të tyre.
Për të marrë kontrollin e Senatit, Partisë Demokratike i nevojiten 51 vende, pasi në rast të një barazimi 50 me 50, zëvendëspresidenti JD Vance do të kishte votën vendimtare në favor të republikanëve.
Kjo nënkupton se demokratëve u nevojitet një fitim neto prej katër vendesh, duke fituar katër vende që aktualisht mbahen nga republikanët dhe duke ruajtur njëkohësisht vendet e tyre, përfshirë ato që konsiderohen të rrezikuara, si ai në Miçigan, në mënyrë që të sigurojnë shumicën në Senat.
Si mund të ndikojnë zgjedhjet e mesmandatit në pushtetin e Trumpit?
Që nga inaugurimi i tij i dytë në janar të vitit 2025, presidenti Donald Trump ka gëzuar një kontroll pothuajse të plotë mbi legjislativin amerikan, i cili dominohet nga Partia Republikane. Megjithatë, pavarësisht se Trump do të vazhdojë të ushtrojë kompetenca të gjera ekzekutive, pavarësisht rezultatit të këtyre zgjedhjeve, humbja e kontrollit republikan në njërën apo në të dyja dhomat e Kongresit do t’u jepte demokratëve mundësi të shumta për të penguar zbatimin e prioriteteve politike të administratës dhe për t’i krijuar presidentit vështirësi të konsiderueshme politike.
Një shumicë demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, në Senat ose në të dyja dhomat do të kufizonte ndjeshëm mundësinë e administratës për të realizuar agjendën e saj legjislative gjatë dy viteve të ardhshme. Miratimi i çdo projektligji do të kërkonte negociata të vështira dhe lëshime të konsiderueshme politike. Demokratët do të fitonin gjithashtu ndikim të rëndësishëm mbi ndarjen e fondeve buxhetore të qeverisë federale, duke pasur mundësinë të kufizojnë financimin për agjencitë e administratës.
Kontrolli i Senatit do t’u mundësonte demokratëve edhe bllokimin e emërimeve në pozitat e larta shtetërore, veçanërisht të atyre në Gjykatën e Lartë të SHBA-së.
Një tjetër burim i rëndësishëm presioni politik ndaj administratës mund të jenë hetimet parlamentare mbi veprimtarinë e saj. Këto hetime mund të përbëjnë një barrë të konsiderueshme politike për presidentin gjatë pjesës së mbetur të mandatit.
Ndërkohë, mundësia e nisjes së një procedure të paprecedentë të tretë për shkarkimin e presidentit (impeachment) ka nxitur tashmë spekulime të shumta. Megjithatë, demokratët kanë lënë të kuptohet se mund të përqendrohen te zyrtarë të tjerë të administratës, duke pasur parasysh vështirësitë e mundshme për të siguruar në Senat votat e nevojshme për shpalljen fajtor të presidentit Trump.
Kush do t’i fitojë zgjedhjet e mesmandatit?
Sondazhet kombëtare të publikuara në prag të ditës së zgjedhjeve tregojnë një epërsi të qartë të demokratëve në preferencat e votuesve.
Sipas mesatares së sondazheve të RealClearPolling, demokratët mbështeten nga 52.0% e votuesve, kundrejt 43.1% për republikanët. Kjo u jep demokratëve një epërsi prej 8.9 pikësh përqindjeje.
Mesatarja përfshin sondazhe të fundit të realizuara nga disa media dhe institucione kërkimore, përfshirë NBC News, Economist/YouGov, Emerson College, Reuters/Ipsos, Fox News, CBS News dhe NPR/PBS/Marist, ndër të tjera.
Një sondazh përfundimtar i realizuar nga NBC News tregoi se votuesit e regjistruar preferojnë që Kongresi të jetë nën kontrollin e Partisë Demokratike dhe jo të Partisë Republikane, me një raport prej 52% kundrejt 45%. Epërsia e demokratëve është edhe më e theksuar te votuesit e pavarur, ku ata kryesojnë me 21 pikë përqindjeje.
Presidenti Donald Trump mbetet një faktor i rëndësishëm në perspektivën zgjedhore të republikanëve. Sipas të njëjtit sondazh, vetëm 40% e të anketuarve e miratojnë punën e tij si president, ndërsa 60% shprehen kundër, duke shënuar nivelin më të lartë të mosmiratimit të regjistruar. Ndërkohë, rreth tre në katër votues deklarojnë se janë të pakënaqur me gjendjen e ekonomisë.
Edhe një sondazh tjetër, i realizuar nga CNBC – All-America Economic Survey, paraqet rezultate të ngjashme: demokratët kryesojnë me 52% të mbështetjes, kundrejt 45% për republikanët. Ky sondazh tregon gjithashtu se 65% e të anketuarve nuk e miratojnë mënyrën se si presidenti Trump po e menaxhon ekonominë amerikane.
Dy vite vendimtare për administratën Trump
Dita e nesërme do të jetë vendimtare për përcaktimin e konfigurimit politik të dy viteve të ardhshme të administratës Trump. Pyetja kryesore mbetet nëse republikanët do të arrijnë të ruajnë kontrollin e Kongresit, apo demokratët do të sigurojnë shumicën në njërën ose në të dyja dhomat e tij.
Përgjigjja do të përcaktojë jo vetëm balancën e forcave politike në Uashington, por edhe hapësirën që do të ketë presidenti Trump për të zbatuar agjendën e tij politike deri në përfundim të mandatit.



