Sot shi dhe reshje të dendura, nga fundjava mëngjese me temperatura nën zero!

Nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike njoftojnë se sot moti do të jetë i vranët, me reshje të herëpashershme shiu, të cilat lokalisht do të jenë më të dendura, mbi 25 litra për metër katror. Kah fundi i ditës pritet ndërprerja e reshjeve, përcjell TV21. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi i veriut, e cila vende-vende përgjatë luginës së Vardarit herë pas here do të jetë më e përforcuar.

Temperaturat minimale do të lëvizin nga 6 deri në 10 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 10 deri në 14 gradë.

Në Shkup do të mbajë mot i vranët, me reshje të herëpashershme shiu me intensitet të dobët deri mesatar. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi i veriut. Temperatura minimale do të zbresë në 8 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë në 12 gradë Celsius.

Nga nesër dhe gjatë ditëve në vijim, sipas sinoptikëve, moti do të jetë stabil dhe i thatë, me vranësira të ndryshueshme gjatë ditës. Në disa lugina pritet të ketë kushte për paraqitjen e mjegullës në orët e mëngjesit.

Nga e premtja vranësirat do të zvogëlohen, ndërsa gjatë fundjavës priten mëngjese më të ftohta, me temperatura minimale që në disa vende do të zbresin nën zero gradë Celsius.