Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka konfirmuar se kanë arritur pajtueshmëri të plotë me VV-në për Ligjin për Gjykatën Speciale.
Gjatë një interviste në Rubikon, ajo ka bërë me dije se kjo ujdi është arritur pas diskutimeve të shumta.
Ajo ka thënë se ligji do të sillet në Kuvend më se largu deri të hënën.
“Sot mund ta them me siguri të plotë se brenda pak ditësh, Ligji do të trajtohet për shqyrtim në Komisionin për Legjislacion dhe do të kthehet për votim në seancë plenare, dhe ligji do të kalojë. Me Lëvizjen Vetëvendosje kemi dakordim të plotë për përmbajtjen e ligjit. Kjo është arritur këto dy-tri ditët e fundit, por kanë qenë takime e negociata që kanë zgjatur me ditë”, ka theksuar Çitaku
Ai nuk ka treguar se çka do të ndryshojë ky ligj.
“Ne që jemi në politikë e dimë që disa procese për shkak të ndjeshmërisë kërkojnë edhe një shkallë diskrecioni, por ligji do të vije në Kuvend dhe keni me e pa vet që as thelb dhe as qëllimi i ligjit nuk është prekur dhe nuk është ndryshuar.”, ka thënë ajo.
Ajo ka bërë me dije se Rregullorja e re e Punës së Kuvendit nuk lejon shumë ndryshime të ligjit në këtë fazë.
“Për shkak të rregullores së Punës së Kuvendit dhe leximeve të ndryshme që ia bëjnë juristet nenit 84 të rregullores së punës ne do të jemi të kufizuar në atë që mund të ndryshojmë menjëherë. Pra, nuk do të mund t`i bëjmë të gjitha ndryshimet dhe të gjitha plotësimet e ligjit në fazën e menjëhershme”, është shprehur ajo.
Ajo ka paralajmëruar se ky ligj mund të ndryshohet përsëri pas disa muajsh.
“Ke parasysh, që ky ligj mund të ndryshojë edhe pas tre muajsh, edhe pas 8 muajsh. Është punë që do të jetë vazhdimisht në proces e sipër. Dhe nuk ka asgjë të keqe këtu”, ka thënë ajo.



