Nga skandali i Nvidia-s te miliarderët amerikanë, si përdoren gratë për të joshur dhe spiunuar të pushtetshmit

Shërbimet sekrete amerikane kanë prej vitesh shqetësime për përdorimin e grave si mjete spiunazhi nga Kina dhe Rusia, për të krijuar lidhje personale dhe romantike me figura të rëndësishme të politikës, financës dhe teknologjisë në SHBA. Kjo metodë, e njohur si “honeypot”, synon të fitojë besimin e personave me akses në informacione të klasifikuara dhe, në disa raste, t’i shantazhojë apo t’u marrë të dhëna sekrete.

Një nga rastet që ka tërhequr vëmendjen lidhet me Jensen Huang, drejtuesin e kompanisë Nvidia, dhe Alice Huang, një grua që dyshohet nga inteligjenca amerikane për lidhje me shërbimet sekrete kineze. Sipas të dhënave të publikuara, njohja e tyre mund të ketë nisur në një festë të organizuar nga prodhuesi tajvanez i serverëve Gigabyte, gjatë panairit të teknologjisë Computex 2024. Një fotografi e publikuar në LinkedIn i shfaq të dy ulur pranë njëri-tjetrit, duke buzëqeshur. Megjithatë, dyshimet për përfshirjen e Alice në spiunazh nuk janë konfirmuar.

Festa, dreka dhe takime të ndryshme joformale janë përdorur shpesh si mundësi për të krijuar kontakte me persona me ndikim në SHBA. Në këto raste, gratë që angazhohen në operacione të tilla përpiqen të krijojnë marrëdhënie personale ose romantike me objektivat e tyre, me qëllim sigurimin e informacioneve të vlefshme.

Një nga rastet më të njohura është ai i Katrina Leung, e cila në fillim të viteve 1980 u rekrutua nga agjenti i FBI-së, James Smith, si informatore për çështjet që lidhen me Kinën. Ajo përdorte emrin e koduar “Parlor Maid” dhe për 18 vite konsiderohej një burim i rëndësishëm informacioni, falë kontakteve që kishte në nivelet e larta të Pekinit. Për punën e saj, FBI i kishte paguar rreth 1.7 milionë dollarë.

Por, ndërkohë që bashkëpunonte me FBI-në, Leung kishte krijuar një marrëdhënie intime me vetë agjentin që e kishte rekrutuar. Takimet e tyre zhvilloheshin edhe në hotele, ndërsa Smith mbante me vete dokumente të klasifikuara. Ajo kishte gjithashtu një lidhje tjetër me një zyrtar të FBI-së, William Cleveland.

Hetimet zbuluan se Leung kishte marrë dokumente konfidenciale dhe ua kishte kaluar autoriteteve kineze. Ajo u arrestua dhe pranoi fajësinë për dëshmi të rreme. Rasti u konsiderua një nga shkeljet më të rënda të sigurisë në historinë e FBI-së, pasi një operacion spiunazhi kishte arritur të mashtronte agjencinë për gati dy dekada.

Një tjetër mënyrë që përdorin operativët e dyshuar është krijimi i kontakteve në universitetet amerikane, ku marrëdhëniet mund të ndërtohen gradualisht dhe të zgjasin për vite. Dokumente të deklasifikuara të FBI-së, të publikuara në vitin 2026, zbuluan se kongresmeni demokrat nga Kalifornia, Eric Sëalëell, i cili kishte qenë anëtar i Komisionit të Inteligjencës në Kongresin amerikan, kishte pasur kontakte me Christine Fang, e dyshuar si operatore e shërbimeve sekrete kineze.

Fang kishte studiuar në një kolegj në San Francisko mes viteve 2011 dhe 2015, periudhë gjatë së cilës dyshohet se kishte marrë detyrën të krijonte marrëdhënie të afërta me politikanë amerikanë në ngritje. Sipas dokumenteve, ajo kishte krijuar kontakte edhe me të paktën dy politikanë të tjerë demokratë në Kaliforni.

Një tjetër rast lidhet me Benjamin Pierce Bishop, ish-nënkolonel i ushtrisë amerikane, i cili u përfshi në një marrëdhënie me një grua kineze të përshkruar në dokumentet gjyqësore si “Personi 1”. Ai i kishte dërguar asaj me email informacione sekrete për asetet detare amerikane. Bishop u dënua me shtatë vite burg, ndërsa gruaja u përshkrua në dokumentet e gjykatës si shumë tërheqëse.

Në vitet e fundit, disa raste të tjera kanë përfshirë gra ruse dhe figura të njohura të politikës, financës dhe teknologjisë amerikane.

Një prej tyre është Maria Butina, e cilësuar si një nga figurat e afërta me qarqet e pushtetit në Rusi. Ajo u përfshi në një marrëdhënie me republikanin Paul Erickson dhe më pas u dëbua nga SHBA-të.

Në qendër të një tjetër historie ishte edhe themeluesi i Microsoft, Bill Gates, i cili pranoi para punonjësve dhe aksionerëve se kishte pasur një marrëdhënie jashtëmartesore me një grua ruse, Mila Antonova. Gates ka deklaruar se e kishte njohur atë në mënyrë të pavarur nga Jeffrey Epstein, gjatë një turneu të lojës së bridge.

Megjithatë, më vonë u zbulua se Epstein kishte paguar studimet e Antonovës në SHBA. Ai kishte shkëmbyer gjithashtu mesazhe me Gates, në të cilat përmendte marrëdhënien e tij me dy gra ruse, në një mënyrë që është interpretuar si përpjekje për ta vënë në pozitë të vështirë miliarderin. Antonova nuk është akuzuar për spiunazh.

Emri i saj është shfaqur edhe në fotografi me Anna Chapman, agjenten ruse që u arrestua nga FBI-ja në Nju Jork në vitin 2010, nën dyshimet për spiunazh në favor të Moskës. Chapman pranoi fajësinë dhe u kthye në Rusi në kuadër të një shkëmbimi të burgosurish, të miratuar nga presidenti Vladimir Putin.

Një tjetër histori e përmendur në këtë kontekst lidhet me Svetlana Pozhidaeva, një nga bashkëpunëtoret më të afërta të Jeffrey Epstein, e cila kishte lidhje familjare me shërbimin sekret rus FSB. Babai i saj kishte qenë kolonel në këtë strukturë.

Sipas komunikimeve të Epstein, Pozhidaeva kishte krijuar një marrëdhënie me Joshua Fink, djalin e Larry Fink, drejtuesit të fondit të investimeve BlackRock. Joshua ishte i dashuruar me të, por dyshohet se ishte edhe xheloz për Elon Musk, për shkak të kontakteve të mundshme të këtij të fundit me gruan ruse gjatë pushimeve në Kaliforni dhe Paris.

Musk ka mohuar se ka qenë ndonjëherë objekt i një operacioni të tillë. Rastet e përmendura tregojnë se marrëdhëniet personale dhe romantike janë përdorur ndër vite si një mënyrë për t’iu afruar njerëzve me ndikim dhe për të siguruar informacione të ndjeshme. Megjithatë, jo të gjitha gratë e përfshira në këto histori janë akuzuar apo provuar se kanë qenë spiune, ndaj dyshimet e shërbimeve sekrete duhen dalluar nga faktet e konfirmuara.