Sulmet e Ukrainës me dronë ndaj rafinerive të naftës në Rusi kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në sektorin energjetik të vendit. Sipas dy burimeve nga industria e naftës, kapaciteti i rafinimit në Rusi është ulur me rreth 30% që nga fundi i muajit tetor.
Sulmet e vazhdueshme po e vështirësojnë edhe më shumë situatën për Moskën, e cila po përballet me mungesë karburanti në tregun vendas, ndërsa njëkohësisht vazhdon eksportin e naftës dizel drejt tregjeve ndërkombëtare.
Ukraina ka shtuar sulmet ndaj objekteve të industrisë ruse të naftës pasi nuk u zbatua armëpushimi për ndalimin e goditjeve ndaj infrastrukturës energjetike, i propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump mes Kievit dhe Moskës.
Vetëm gjatë javës së fundit, sulmet ukrainase kanë ndërprerë punën në nëntë nga 35 rafineritë kryesore të Rusisë, duke shkaktuar edhe situata emergjente në disa prej tyre.
Sipas burimeve të industrisë, kapaciteti ditor i rafinerive të goditura që nga fundi i tetorit arrin në rreth 300 mijë tonë naftë, ose 2.2 milionë fuçi. Këto shifra përfshijnë edhe tre rafineri të mëdha në pjesën qendrore të Rusisë.
Ndërkohë, kapaciteti i përgjithshëm i Rusisë për përpunimin e naftës arrin në rreth 930 mijë tonë në ditë. Para intensifikimit të sulmeve, në fund të tetorit, rafineritë ruse përpunonin rreth 700 mijë tonë naftë bruto në ditë.
Burimet vlerësojnë se për shkak të dëmeve, sasia e naftës që përpunohet çdo ditë në rafineritë ruse mund të jetë ulur me deri në 200 mijë tonë. Ndër objektivat e goditur janë rafineritë në Ryazan, Yaroslavl dhe në rajonin e Vollgës.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukraina do të vazhdojë sulmet ndaj objektivave që lidhen me industrinë ruse të naftës, duke i cilësuar ato si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të Rusisë mbi infrastrukturën energjetike ukrainase.
Sipas tij, Rusia vazhdon të godasë termocentralet, rrjetet e energjisë, sistemet e ngrohjes dhe furnizimin me ujë në Ukrainë. Zelensky tha gjithashtu se Moska ka refuzuar masat për uljen e tensioneve, për të cilat kanë bërë thirrje partnerët ndërkombëtarë.



