Ambasada amerikane në Riad ngre alarmin për kërcënimet iraniane dhe sulmet e mundshme të Huthëve

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Riad u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë që ndodhen në Arabinë Saudite dhe në pjesën tjetër të Lindjes së Mesme të tregojnë vigjilencë të shtuar, për shkak të rrezikut të sulmeve të mundshme nga rebelët Huthi të Jemenit, të mbështetur nga Irani, si dhe të përpjekjeve të dyshuara të Teheranit për të goditur zyrtarë të qeverisë amerikane.

Në një njoftim sigurie të publikuar në platformën X, ambasada amerikane ka rikujtuar sulmet e mëparshme të Huthëve në Arabinë Saudite, të cilat kanë pasur në shënjestër aeroporte civile dhe infrastruktura të tjera kritike.

“Armiqësitë mund të përhapen me shpejtësi përtej zonës së prekur drejtpërdrejt”, paralajmëron ambasada amerikane.

Misioni diplomatik u ka kërkuar gjithashtu shtetasve amerikanë të konsultojnë paralajmërimin e udhëtimit të publikuar nga Departamenti i Shtetit për Arabinë Saudite, ku gjenden informacione shtesë dhe udhëzime mbi masat e sigurisë.

Paralajmërimi vjen pas një raportimi të publikuar nga gazeta “The New York Times”, sipas të cilit sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, është larguar nga banesa e tij dhe është zhvendosur në një bazë ushtarake, pas kërcënimeve me vdekje që dyshohet se kanë ardhur nga Irani.