Bajrami- Osmanit: Turiste politike, e pa dinjitet, mos gënje

Deputetja e LDK’së, Hykmete Bajrami, i është kundërpërgjigjur një deklarate të deputetes nga grupi i saj parlamentar, Vjosa Osmani, e cila në fjalën e saj në foltore pak më herët foli për një fondet e vitit 2020, duke thënë se atëherë Qeveria i ka ndarë para “bossave të bizneseve”.

Osmani kishte aluduar te Qeveria Hoti kur Hykmete Bajrami ishte në krye të Ministrisë së Financave.

Bajrami e quajti “turiste politike” Osmanin dhe “pa dinjitet”, duke thënë se po gënjen për këtë çështje dhe se fondet e ndara ishin për financim të pagave të punëtorëve.

“Përgjigje turistëve politikë që kanë mbetur pa pushtet, pa dinjitet, e shpërndajnë mjegull: Mos gënjeni! Në debatin e sotëm u dëgjuan shumë të pavërteta, prandaj disa gjëra duhet t’i sqarojmë. Në vitin 2020, kur ekonomia ishte komplet e mbyllur për shkak të pandemisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka financuar pagat e punëtorëve të sektorit privat për një muaj, nuk ju ka dhanë para ”bosave të biznesit””.

Bajrami tha se për realizimin e asaj pakoje kanë punuar rreth 10 shërbyes civilë, përfshirë drejtorin e Thesarit dhe drejtorin e Buxhetit.

“Kriteri ka qenë i qartë: punëtorët duhej të figuronin në listën e pagave të ATK-së për tre muajt paraprakë. Ka qenë një nga pakot më transparente të mbështetjes financiare që janë realizuar ndonjëherë në historinë e shtetit të Kosovës. Disa edhe mund të ma shihni për të madhe që po merrem me njerëz që sot mohojnë edhe biografitë e tyre, të cilëve u vjen turp të pranojnë se pjesë e cilave institucione dhe shumica kanë qenë dikur”.

E sa për standarde të dyfishta, Bajrami tha se janë “kampionë”.

“Për ta, e njëjta gjë është e drejtë ose e gabuar, varësisht nga karrigia ku janë ulur”.

Osmani tha se këtë e pati ndërmend ta thoshte në Kuvend, por se nuk iu dha fjala.

Çka tha Osmani?

Duke akuzuar Qeverinë Kurti se veçse i kanë “ndërruar bossat e krimit” dhe se po “kontrollohen nga oligarkët”, ajo foli për këtë pako të 2020-ës, duke thënë se ka qenë më kritikja për të për shkak se fondet ia kanë dhënë “bossave të biznesit”.

“Por çfarë të them unë kur kritikohemi për standarde të dyfishta e dëgjojmë nga ju standarde të dyfishta. Mbrojtje të dështimeve, arsyetim të stagnimeve e jo duke e parë veten në pasqyrë me qëllim për t’u përmirësuar. Çka thanë për humbjen e fondeve? Thanë që në vitin 2020 fonde iu kanë dhënë bossave të biznesit. Po. Dhe a e dini kush ka qenë personi që e ka kritikuar më së shumti në atë kohë në këtë Parlament? E kam kritikuar unë. E çka ka ndodhur në ndërkohë është se ju veç i keni ndërruar bossat e krimit, i keni ndërruar oligarkët”.