Pas një periudhe të gjatë dhe të vështirë, Fatlinda Beqiri duket se po merr një mbështetje të jashtëzakonshme nga publiku.
Historia e saj u bë e njohur për publikun përmes Nichit, banorit të Big Brother VIP Kosova 5, i cili tregoi se Fatlinda pretendohet se për 25 vite është penguar të këndojë nga menaxheri i saj.
Pas gjithë vëmendjes që mori kjo histori, Fatlinda ka publikuar një postim në TikTok, përmes të cilit ka falënderuar të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë gjatë kësaj periudhe.
Ajo ka ndarë disa fjalë emocionuese, duke treguar se mesazhet, fjalët e mira dhe përkrahja e njerëzve i kanë dhënë forcë për të vazhduar përpara.
“Dua me ju falënderu prej zemrës krejtve që më keni përkrahë, që më keni shkru, që më keni dalë në krahë dhe më keni dhënë forcë gjatë krejt kësaj kohe”, ka shkruar ajo.
Por ajo që ka tërhequr vëmendje të veçantë janë komentet në postimin e saj. Krahas fansave të shumtë, Fatlinda ka marrë mesazhe përkrahëse edhe nga emra të njohur të skenës.
Ndër ta është këngëtarja Tayna, e cila i ka shkruar fjalë inkurajuese, duke i uruar të gjejë guximin dhe forcën për ta bërë zërin e saj të dëgjohet.
Edhe Vushë Mjaki dhe Linda Bajrami kanë reaguar me mesazhe emocionuese, duke i dhënë kurajë që të mos dorëzohet dhe të mos lejojë askënd t’ia shuajë dritën.
Mbështetja e madhe që ka marrë në rrjetet sociale tregon se historia e saj ka prekur shumë njerëz.
Tashmë, shumë ndjekës presin që Fatlinda të ketë mundësinë të rikthehet te muzika dhe të tregojë talentin e saj, pas gjithë kësaj periudhe të vështirë.




