Ish-ylli i Bayern dhe Dortmundit habit me rrëfimin: “Pija tri birra dhe pastaj shkoja në McDonald’s”

Niklas Süle, ish-mbrojtësi i njohur i Bayern Munich dhe Borussia Dortmundit, ka bërë një rrëfim të sinqertë për stilin e tij të jetesës gjatë karrierës si futbollist profesionist, duke pranuar se jo gjithmonë i përmbahej rregullave strikte të ushqimit dhe përgatitjes fizike.

Futbollisti gjerman, i cili ka fituar miliona euro gjatë karrierës së tij dhe ka luajtur në nivelet më të larta të futbollit evropian, ka treguar se birra dhe ushqimi i shpejtë ishin pjesë e jetës së tij edhe gjatë kohës kur ishte profesionist.

“Ndoshta kam pirë tri birra shumë shpesh gjatë karrierës sime dhe pastaj kam shkuar në McDonald’s”, është shprehur Süle në një intervistë, duke folur hapur për mënyrën se si e ka përjetuar karrierën e tij 15-vjeçare.

Ai theksoi se nuk dëshironte që gjithë jetën ta kufizonte vetëm te futbolli, pasi beson se jeta duhet shijuar edhe jashtë fushës së lojës.

“Nuk doja të përqendrohesha vetëm te futbolli gjatë karrierës sime 15-vjeçare. Jeta është e shkurtër dhe nuk e di kurrë se çfarë mund të ndodhë”, ka deklaruar futbollisti gjerman.

Süle foli edhe për dallimin mes personit që është në jetën private dhe figurës publike që tifozët shohin në stadiume.

“Ekzistojnë dy Süle. Njëri është Niklas, të cilin e njohin miqtë dhe familja ime, ndërsa tjetri është Süle që tifozët e shohin dhe nga i cili kërkojnë autografe. Ata shohin vetëm futbollistin”, ka shpjeguar ai.

Gjatë karrierës së tij, mbrojtësi gjerman është përballur shpesh me kritika dhe diskutime për peshën trupore, formën fizike dhe mënyrën e menaxhimit të jetës profesionale.

Një nga momentet që shkaktoi shumë reagime ishte edhe një fotografi nga stërvitja e Borussia Dortmundit, rreth dy javë para finales së Ligës së Kampionëve në vitin 2024, e cila u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale.

Megjithatë, Süle duket se nuk është penduar që gjatë karrierës së tij ka kërkuar të ruajë një ekuilibër mes futbollit dhe jetës personale, duke mos e parë veten vetëm si një futbollist profesionist.
https://x.com/MadridUniversal/status/1791411248132690301?a=8mZE3-Z_QI0tMbqOkBs&s=20

Siguri e paparë, shirita në rrugë, para ndeshjes me Izraelin