Musk pendohet për 500 milionë dollarët e shpenzuara për republikanët: Ndihem budalla

Miliarderi amerikan Elon Musk ka shprehur keqardhje për shumat e mëdha që shpenzoi për të mbështetur kandidatët republikanë në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, duke pranuar se investimi i tij financiar nuk solli rezultatet që kishte pritur.

Gjatë një interviste në eventin DealBook të New York Times, të mbajtur të mërkurën në New York, kreu i Tesla-s dhe SpaceX deklaroi se ndihej i zhgënjyer nga mënyra se si u përdorën paratë e tij në fushatën zgjedhore.

“Ndihem shumë budalla që shpenzova kaq shumë para dhe pashë kaq pak rezultate. Ose ndoshta gjërat mund të kishin qenë edhe më keq”, u shpreh Musk, i cili mori pjesë në aktivitet përmes një lidhjeje video nga Kina, ku ndodhet në shoqërinë e presidentit amerikan Donald Trump.

Musk kishte investuar rreth 500 milionë dollarë për të mbështetur republikanët, me synimin që ata të ruanin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit. Megjithatë, rezultatet zgjedhore, që sollën një fitore të demokratëve, e kanë shtyrë miliarderin të rishikojë efektivitetin e kontributeve të mëdha financiare në politikë.

“Zgjedhjet nuk kanë të bëjnë vetëm me paratë”, tha ai, duke pranuar se edhe shpenzimet e konsiderueshme nuk garantojnë sukses elektoral.

I pyetur nëse do të ndryshonte diçka nëse do të kishte mundësinë të kthehej pas në kohë, Musk u përgjigj: “Nëse do të mund të kthehesha pas në kohë, do të shpenzoja më pak”.

Ai shtoi se do të kufizonte edhe kohën personale që i kushtoi fushatave politike, pasi përparësia e tij mbeten aktivitetet e biznesit, veçanërisht kompanitë Tesla dhe SpaceX.

Një prej rasteve që ilustron investimin e madh financiar pa rezultatin e synuar ishte gara për një vend në Senat në Teksas.

Musk kishte mbështetur me shuma të konsiderueshme kandidatin republikan Ken Paxton, ish-prokurorin e përgjithshëm të shtetit. Sipas shifrave të fushatës, shpenzimet për mbështetjen e tij kaluan 220 milionë dollarë, megjithëse raportimet ndryshojnë sa i përket shumës së financuar drejtpërdrejt nga Musk.

Pavarësisht mbështetjes financiare, Paxton u mund nga demokrati 37-vjeçar James Tallarico, i cili arriti të sigurojë vendin në Senat.

Teksasi ka rëndësi të veçantë për interesat e biznesit të Musk, pasi në Austin ndodhen selitë e kompanive të tij, ndërsa në këtë shtet janë ngritur ose po zhvillohen edhe objekte të rëndësishme prodhimi për automjete elektrike, mikroçipa dhe teknologji të tjera.

Gjatë intervistës, miliarderi u pyet edhe për Gina Hinojosa-n, kandidaten demokrate që, sipas rezultatit të zgjedhjeve, pritet të marrë drejtimin e Teksasit në janar 2027, duke pasuar republikanin Greg Abbott.

Pavarësisht dallimeve politike, Musk u shpreh se nuk pret që ndryshimi i drejtimit politik të krijojë probleme për aktivitetet e tij në këtë shtet.

“Mendoj se ajo do të jetë mjaft e moderuar. Nuk mendoj se do të jetë një guvernatore e ekstremit të majtë”, deklaroi ai.

Më tej, Musk shtoi se, bazuar në informacionet që ka për Hinojosa-n, beson se marrëdhëniet dhe zhvillimet në Teksas do të vijojnë normalisht edhe pas marrjes së detyrës nga guvernatorja e re.