“Sky News”: Islami mund të bëhet feja më e madhe në botë deri në vitin 2035

Islami mund ta tejkalojë krishterimin dhe të bëhet feja më e madhe në botë deri në vitin 2035, sipas projeksioneve të reja demografike të publikuara nga televizioni britanik “Sky News“, përcjell TV21. Parashikimet bazohet në hulumtimet e Qendrës Kërkimore “Pew”, e cila prej 25 vitesh analizon trendet demografike që lidhen me përkatësinë fetare.

Sipas studimit, deri në vitin 2035 në botë pritet të ketë 2.57 miliardë myslimanë dhe 2.52 miliardë të krishterë. Rritja më e shpejtë e popullsisë myslimane lidhet kryesisht me numrin më të madh të fëmijëve për grua, krahasuar me komunitetet e tjera të mëdha fetare.

“Gjithçka ka të bëjë me foshnjat”, deklaroi demografi Konrad Hackett, duke theksuar se lindshmëria ka ndikim shumë më të madh sesa konvertimi nga një fe në tjetrën.

Gjatë periudhës 2020–2025, gratë myslimane kanë pasur mesatarisht 3.1 fëmijë, ndërsa gratë e krishtera 2.5 fëmijë. Për ruajtjen e numrit të popullsisë nga një gjeneratë në tjetrën nevojiten mesatarisht 2.1 fëmijë për grua.

Projeksionet tregojnë se deri në vitin 2070 numri i myslimanëve mund të kalojë 3.6 miliardë, ndërsa numri i të krishterëve të mbetet nën 3 miliardë.

Në periudhën 2020–2070, popullsia botërore pritet të rritet për 29 për qind. Numri i myslimanëve parashikohet të rritet për 80 për qind, ndërsa ai i të krishterëve për 30 për qind.

Ndërkohë, studimi parashikon se deri në vitin 2070, personat pa përkatësi fetare mund të përbëjnë një shumicë të ngushtë të popullsisë në Britaninë e Madhe.