Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në një intervistë ekskluzive për “Fakti Ditor”, ka folur për rolin e shqiptarëve në funksionimin e shtetit të Maqedonisë së Veriut.
Sipas tij, shqiptarët janë faktor kyç në shtetformim dhe funksionim institucional. “Askush nuk e do këtë shtet më shumë se shqiptarët. Pa shqiptarët, ky shtet nuk do të ekzistonte”, është shprehur Taravari.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka deklaruar se pritjet për ndryshim nuk janë përmbushur, duke shprehur zhgënjim ndaj koalicionit qeverisës.
“Edhe ne kemi qenë pjesë e VLEN-it kur ndodhi ndryshimi te shqiptarët dhe të gjithë thonim se ne jemi ata që sjellim ndryshimin. Në fakt, ndryshimi solli zhgënjim. Çfarë premtuam para qytetarëve si koalicion me VMRO-DPMNE-në? Rrugën evropiane, zhvillimin ekonomik, shtetin e së drejtës dhe decentralizimin fiskal… Pas 22 muajsh, asgjë prej këtyre premtimeve nuk është realizuar. Ajo që nuk mund ta falin qytetarët e Maqedonisë së Veriut është devijimi nga rruga evropiane e vendit”, ka thënë Taravari.
Sipas tij, konstatimi i përgjithshëm është se Maqedonia e Veriut po largohet nga Bashkimi Evropian.
“Të zhgënjyer nga ky koalicion qeverisës nuk janë vetëm shqiptarët, por të gjithë qytetarët”, ka shtuar Taravari.
Duke komentuar zhvillimet e brendshme në Aleancën për Shqiptarët, ai ka theksuar se përçarja në parti ka ndodhur vetëm një herë, kur u ndanë me Ziadin Selën. Sipas tij, nga subjekti janë larguar persona të lidhur me interesa për pushtet, ndërsa jo ata që besojnë në vizionin dhe parimet e partisë.
“Një pjesë e atyre që janë larguar vazhdojnë të jenë në komunikim me strukturat e partisë dhe kanë shprehur gatishmëri për t’u rikthyer”, ka deklaruar Taravari.
Sa i përket organizimit të brendshëm, ai bëri të ditur se Aleanca për Shqiptarët është në proces përgatitjeje për mbajtjen e kongresit të ardhshëm partiak.
Ndërkohë, duke folur për ambiciet politike, Taravari u shpreh se synimi i Aleancës për Shqiptarët është që në zgjedhjet e ardhshme të dalë si subjekti i parë nga radhët e shqiptarëve./faktiditor.info

