Arbër Ademi demanton listën e personave që pretendohet se kanë marrë para nga BDI: Paralajmëron veprime ligjore

Ish-deputeti dhe zyrtari i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar ndaj informacionit të publikuar, në të cilin emri i tij përfshihet në një listë të personave që pretendohet se kanë përfituar mjete financiare nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

Ademi i ka cilësuar këto pretendime si tërësisht të pavërteta, duke deklaruar se gjatë gjithë angazhimit të tij politik në BDI nuk ka përfituar asnjë pagesë, kompensim apo honorar nga kjo parti.

Ai u ka kërkuar portalit dhe individëve që kanë publikuar listën që ta tërheqin menjëherë atë, të publikojnë një përgënjeshtrim dhe të kërkojnë falje për dëmin që, sipas tij, i është shkaktuar reputacionit të tij.

Në të kundërtën, Ademi ka paralajmëruar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për mbrojtjen e dinjitetit dhe reputacionit personal.

„Përgjegjësia për informimin publik kërkon saktësi, profesionalizëm dhe respektim të së vërtetës”, ka theksuar Ademi në reagimin e tij.

Deri më tani, në këtë reagim nuk paraqiten dokumente apo dëshmi të tjera lidhur me listën e publikuar, ndërsa pretendimet e përfshirjes së tij në të janë mohuar kategorikisht nga vetë Ademi.

Ngjarje e rëndë në Klinikën e Gjinekologjisë në Shkup: Foshnjës dyditëshe dyshohet se iu pre gishti me gërshërë