Para saktësisht gjashtë vitesh, në kulmin e pandemisë me COVID-19, Maqedonia jetonte në një realitet krejtësisht ndryshe. Masat qeveritare për parandalimin e përhapjes së virusit përfshinin orë policore të rreptë, lëvizje të kufizuar dhe hapësira publike të mbyllura.
Në atë periudhë, rrugët në Shkup dhe në gjithë shtetin ishin pothuajse të zbrazëta. Qytetarët lejoheshin të dilnin vetëm në intervale të caktuara kohore, ndërsa për kategori të caktuara, si personat e moshuar dhe të miturit, vlenin kufizime të veçanta.
Policia dhe institucionet kompetente kryenin kontrolle të shtuara, ndërsa shkelja e masave sanksionohej me gjoba, e madje edhe me përgjegjësi penale. Qëllimi ishte i qartë – të zvogëlohej presioni mbi sistemin shëndetësor dhe të parandalohej përhapja e pakontrolluar e virusit.
Qytetarët, megjithëse të përballur me pasiguri dhe frikë, në pjesën më të madhe i respektuan rekomandimet. Maskat, dezinfektimi dhe distanca fizike u bënë përditshmëri, ndërsa jeta sociale u shpërngul në shtëpi dhe në internet.
Sot, gjashtë vite më vonë, këto skena duken si një kujtim i largët, por mbeten një përkujtues i rëndësishëm i periudhës kur bota ndaloi, ndërsa shëndeti u bë prioritet absolut.

