Osmani përkujton viktimat në Shtuticë e Vërboc, nderon edhe Ilaz Kodrën

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 27-vjetorin e vrasjes së 275 civilëve dhe mbi 40 dëshmorëve në Shtuticë dhe Vërboc, të cilët u vranë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka bërë të ditur se gjatë kësaj dite ka qëndruar pranë familjeve të viktimave, duke shkruar se kujtimi për të rënët mbetet i përhershëm.

Postimi i plotë:

Sot ishim pranë familjeve në Shtuticë e Vërboc për të përkujtuar 27 vjetorin e vrasjes së 275 martirëve e mbi 40 dëshmorëve nga forcat gjenocidale të Serbisë. Në mesin e të vrarëve ishin edhe Luani e Rexhepi, dy djemtë e dajëve të mi, të cilët përherë do t’i kujtojmë me mall, sikurse çdo familje qe ka humbur më të dashurit.

Atë ditë të kobshme, ushtarët e UÇK-së të udhëhequr nga heroi i kombit Ilaz Kodra, u ngritën si mburojë e gjallë për popullsinë civile, duke u përballur me forcat gjenocidale serbe. Prandaj sot ishim edhe në Marinë, për të kujtuar heroin Ilaz Kodra por edhe çdo dëshmor tjetër që ra në altarin e lirisë.

By admin7