Haxhiu, “opozitës”: Mos e përfshini stafin e Kuvendit në përplasje – vërejtjet ndaj meje i adresoni tek unë

Deputetja e LVV-së, njëherësh kryetare e Kuvendit dhe U.D. e Presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar për situatën që ngjau të mërkurën në ambientet e Kuvendit.

Sipas saj, mospajtimet dhe përplasjet politike duhet të mbeten mes atyre që mbajnë përgjegjësi politike, raporton Klankosova.tv.

Haxhiu tha se “opozita nuk duhet ta përfshijë stafin profesional të Kuvendit në këto përplasje, ta vërë nën presion apo ta shënjestrojë për shkak të punës që kryen në kuadër të përgjegjësive të veta institucionale”.

“Nëse opozita ka vërejtje ndaj punës sime, le t’i adresojë ato drejtpërdrejt tek unë ose përmes mekanizmave institucionalë. Nuk është e drejtë që zyrtarëve profesionalë t’u atribuohen motive politike apo të krijohet përshtypja se ata i shërbejnë një individi apo një subjekti politik vetëm pse po kryejnë detyrat e tyre”.

“Stafi i Kuvendit nuk është palë në betejat politike dhe nuk duhet të trajtohet si i tillë”, u shpreh Haxhiu.

Ajo tha se e dënon këtë sjellje publikisht “dhe kërkoj që çdo pretendim konkret të paraqitet me fakte dhe në rrugë institucionale, e jo përmes sulmeve dhe insinuatave ndaj zyrtarëve të Kuvendit”. /Klankosova.tv

By admin7