Denion Meidani, përmes një reagimi të publikuar në rrjetin social Facebook, ka reaguar ndaj ndalimeve, vonesave dhe intimidimeve që, sipas tij, iu janë bërë studentëve shqiptarë nga Shqipëria gjatë hyrjes në kufirin e Maqedonisë për të shprehur solidaritet lidhur me të drejtat gjuhësore. Ai ka theksuar se studentët nuk kanë udhëtuar për përplasje, por për të mbështetur të drejtën për t’u testuar dhe për të ushtruar profesionin në gjuhën amtare, duke shtuar se kërkesa për dinjitet, barazi dhe respektim të të drejtave themelore nuk duhet të perceptohet si kërcënim.
Reagimi i plotë:
Kur studentë ndalohen, vonohen dhe intimidohen teksa udhëtojnë për të shprehur paqësisht solidaritet për një të drejtë gjuhësore, çështja pushon së qeni vetëm procedurale. Ajo prek vetë mirëkuptimin demokratik dhe frymën europiane që synojmë të ndërtojmë si rajon.
Studentët shqiptarë nga Tirana udhëtuan drejt Republikës së Maqedonisë së Veriut jo për përplasje, por për solidaritet qytetar dhe për të mbështetur një kërkesë elementare: të drejtën për t’u testuar dhe për të ushtruar profesionin në gjuhën amtare.
Këta të rinj nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë dinjitet, barazi dhe respekt për të drejtat themelore.
Dhe një kërkesë për dinjitet nuk duhet të perceptohet kurrë si kërcënim, sidomos në vende që synojnë t’i bashkohen familjes europiane dhe të ndërtojnë të ardhmen mbi vlerat e demokracisë, barazisë dhe të drejtave themelore.


