Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka urdhëruar zhvillimin e procedurës hetimore ndaj 4 personave, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se kanë qenë bashkëkryerës në dy vepra penale. Në ngjarjen e parë, në orët e hershme të mëngjesit të 22 tetorit, ata kanë hyrë me forcë në një shtëpi në lagjen Hrom të Shkupit, ku pronarin e kanë lidhur për duarsh dhe këmbësh, kanë filluar ta godasin në kokë dhe trup, si dhe e ngulfatur me jastëk, kanë njoftuar nga prokuroria themelore publike.
PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE
“Më pas, kanë kontrolluar dhe bastisur shtëpinë, nga ku kanë marrë para dhe stoli ari në vlerë të përgjithshme prej 300.000 denarësh. Po të njëjtën ditë, në orët e pasdites, njëri nga të dyshuarit i ka marrë të tjerët me automjetin e tij dhe i ka dërguar në një argjendari në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, ku e kanë shitur arin për shumën prej 2.840 eurosh”.
Ata thonë se të dyshuarit natën mes datave 26 dhe 27 tetor, kanë hyrë në një shtëpi tjetër në Gjorçe Petrov, ku kanë sulmuar fizikisht pronaren e shtëpisë. E kanë goditur në kokë dhe në trup, i kanë lidhur duart, këmbët dhe gojën, dhe më pas e kanë futur në banjë.
PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE
“Viktima ka ndërruar jetë si pasojë e goditjeve, ndërsa autorët nga shtëpia kanë vjedhur para, stoli dhe sende me vlerë, në një vlerë totale prej rreth 200.000 denarësh. Në të njëjtën mënyrë si herën e parë, stolitë e vjedhura prej ari i kanë shitur”.
Nga Prokuroria njoftojnë se prokurori publik i ka dorëzuar gjykatësit të procedurës paraprake kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për 4 të dyshuarit. Atyre u është caktuar paraburgim prej 30 ditësh, me qëllim që të parandalohet shkatërrimi i provave, pengimi i hetimit dhe arratisja. Më herët, katër të dyshuarve u ishte vazhduar paraburgimi dy herë nga 48 orë. Në lidhje me rastet janë arrestuar A.S. (22), H.E. (20) dhe K.A. (58), të gjithë nga Shkupi, si dhe M.R. (26) nga Strumica. Policia i ka lidhur ata me të dyja ngjarjet.
Duke qenë se viktimat janë privuar nga jeta me dashje gjatë grabitjeve, hetimi është nisur për formën e rëndë të veprës penale, për të cilën parashihet dënim me burg prej së paku 10 vjetësh ose burgim i përjetshëm, njoftojnë nga PTHB. /SHENJA/



