Nis fushata: Abdixhiku e Osmani bashkë, PDK përmend ish-krerët e UÇK-së, Kurti 100 eurot e AAK me kandidat të ri

Partitë politike kanë përmbyllur tubimet hapëse të fushatës për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor, duke prezantuar kandidatët dhe prioritetet e tyre politike.

Lidhja Demokratike e Kosovës ishte subjekti i parë që hapi zyrtarisht fushatën në Prishtinë. Në tubim, Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani dolën bashkë para simpatizantëve për të prezantuar kandidatët për deputetë.

Reklame

“Sonte, mu sonte, shënojmë kryengritjen e djathtë kombëtare si thirrje monumentale të popullit të Kosovës. Në këtë kryengritje të djathtë, le t’i kujtojmë vetes se kush jemi ne: jemi pasardhës të qendresës, jemi pasardhës të rezistencës, jemi pasardhës politikë të shqiptarit më të madh të kohërave, jemi pasardhës politikë të Dr. Ibrahim Rugovës”, ka thënë Abdixhiku.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës e mbajti hapjen e fushatës në Ferizaj. Kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, në fjalimin e tij foli edhe për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.

“Sot, liderët tanë Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, së bashku me bashkëluftëtarët Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, ndodhen larg familjeve të tyre në Hagë. Ne kemi besim në drejtësi dhe në të vërtetën. Historia nuk mund të ndryshohet. Ata nuk janë vetëm individë, por pjesë e rëndësishme e historisë së Kosovës. Besoj se do të rikthehen faqebardhë, krenarë dhe më të fortë”, u shpreh Hamza.

Lëvizja Vetëvendosje fushatën e nisi me tubim në Ferizaj po ashtu, ku kryeministri Albin Kurti vuri theksin te 100 eurot për punëtorët e sektorit privat.

“Mos harroni, të dashur punëtorë, që sot në sektorin privat është hapur aplikimi për shtesën e njëhershme prej 100 eurosh. Ky ka qenë zotim i yni. Tash po na akuzojnë e sulmojnë pse po i përmbushim zotimet tona ndaj jush. Krejt çka bëjmë ne është përmbushje e zotimeve tona. Krejt britmat e piskamat kundër neve janë për shkak të realizimit të zotimeve tona. Ne ju duam sinqerisht, ne punën e marrim seriozisht dhe atë që zotohemi e realizojmë”, tha Kurti.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kësaj radhe hyn në garë me Ardian Gjinin si kandidat për kryeministër. Hapja e fushatës së AAK-së u mbajt në Gjakovë, ku Gjini prezantoi prioritetet kryesore të programit të tij, me fokus te siguria, zhvillimi ekonomik dhe energjia.

Ai gjatë fjalimit i kushtoi rëndësi të veçantë edhe diasporës.

“Një përshëndetje për diasporën. Sa na doni ju neve, ju duam edhe ne juve. Njëjtë, kurrfarë dallimi”, u shpreh ai.

By admin7