Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka komentuar situatën politike në Shqipëri dhe protestat kundër qeverisë së Edi Ramës, duke deklaruar se kryeministri shqiptar ka bërë një gabim të rëndësishëm në përballjen me kundërshtarët e tij.
Në një intervistë për emisionin Prva tema në televizionin serb TV Prva, Vuçiç tha se Rama ka shpenzuar shumë kohë duke besuar se mund t’i qetësonte kundërshtarët politikë përmes lëshimeve.
“Edi besoi për më shumë kohë se unë se mund t’i zbuste disi. Dhe gaboi. Humbi kohën e tij”, deklaroi presidenti serb.
Vuçiç argumentoi se presioni politik i ushtruar përmes protestave nuk mund të përballohet gjithmonë me kompromis dhe se përpjekjet për të qetësuar kundërshtarët mund të kenë pasoja për pozicionin e një qeverie.
Duke iu referuar mundësisë së zgjedhjeve të parakohshme në Shqipëri, presidenti serb shprehu dyshime mbi aftësinë e Ramës për të siguruar një tjetër fitore nëse do të detyrohej të shkonte drejt kutive të votimit nën presionin e protestave.
“Nëse e detyrojnë të shpallë zgjedhje, do ta ketë shumë të vështirë t’i fitojë ato”, tha Vuçiç.
Megjithatë, ai theksoi se e konsideron Ramën një politikan të rëndësishëm për Shqipërinë.



