PDK-ja i kërkon presidentes ta kthejë Ligjin për Specialen në Kuvend

Partia Demokratike e Kosovës i ka kërkuar presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, që ta kthejë në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Përmes një letre zyrtare, të enjten, PDK-ja ka kërkuar që ligji të rishqyrtohet për të plotësuar disa dispozita dhe për të rritur sigurinë juridike.

Sipas PDK-së, ligji është përfunduar në pjesën më të madhe dhe kthimi në Kuvend synon vetëm përmirësimin e tij, jo nisjen e procesit nga e para.

Partia ka bërë të ditur se pret që ligji të rishqyrtohet dhe të miratohet sërish brenda katër javësh, duke theksuar se nuk do të heqë dorë nga nisma.

PDK-ja ka ftuar edhe ekspertët ligjorë, përfshirë Avokatin e Popullit, që të japin propozimet e tyre për përmirësimin e ligjit.

Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara u miratuan nga Kuvendi më 6 tetor. Ato parashohin kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim, mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, vuajtjen e dënimeve në Kosovë dhe mundësinë e amnistisë nga presidenti.

PDK-ja ka deklaruar se paralelisht do të vazhdojë angazhimin për sigurimin e fondeve dhe mbështetjen profesionale për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë.

Eugen Cakolli nga KDI vlerësoi se presidentja ka të drejtë ta kthejë ligjin në Kuvend për rishqyrtim, përmes asaj që njihet si veto pezulluese. Në rast të kthimit, sipas tij, Kuvendi mund ta miratojë sërish ligjin, këtë herë me shumicën e të gjithë deputetëve, pra së paku 61 vota për, duke e përmbysur veton.

Sipas Cakollit nëse afati tetë ditor kalon dhe presidentja nuk merr asnjë vendim, ligji konsiderohet i shpallur edhe pa dekret dhe hynë në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

Nëse Ligji për Specialen kthehet në Kuvend, sipas Cakollit, Komisioni për Legjislacion ka katër javë nga pranimi për ta përgatitur raportin për seancë, me mundësi që shqyrtimin ta përfundojë edhe më herët. Interpretimi i Rregullores nga ky komision shërben edhe për të sqaruar mënyrën e propozimit dhe votimit të ndryshimeve, përpara se ligji të kthehet në seancë.

Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të sponsorizuara nga Partia Demokratike e Kosovës, në kuadër të negociatave me Lëvizjen Vetëvendosje për zgjedhjen e presidentes së re.

Ndryshimet parashohin, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim, mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, vuajtjen e dënimeve në Kosovë dhe mundësinë e amnistisë nga presidenti.

Megjithatë, ekspertë ligjorë kanë ngritur dyshime nëse këto ndryshime mund të prodhojnë efektet e synuara dhe nëse janë në përputhje me Kushtetutën dhe obligimet ndërkombëtare të Kosovës.

Bashkimi Evropian ka shprehur “shqetësim të thellë” për ndryshimet, duke kërkuar respektimin e obligimeve ndërkombëtare dhe garantimin e pavarësisë së Dhomave të Specializuara.

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, i ka kundërshtuar këto shqetësime, duke deklaruar se ndryshimet nuk shkelin obligimet ndërkombëtare dhe nuk nënkuptojnë mbylljen e Gjykatës Speciale.

Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nisma u është paraqitur qytetarëve me premtime që, sipas tij, nuk mund të realizohen përmes ndryshimeve ligjore.

Kosova, përmes shkëmbimit të letrave në vitin 2014 ndërmjet presidentes së atëhershme, Atifete Jahjaga, dhe përfaqësueses së lartë të BE-së, Catherine Ashton, ishte zotuar të konsultohej me Bashkimin Evropian për ndryshimet ligjore që prekin mandatin dhe procedurat e Dhomave të Specializuara, si dhe të garantonte vazhdimin e punës së tyre deri në përfundimin e procedurave përkatëse.