Menaxhmenti aktual i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) ka zbuluar një sërë parregullsish serioze në funksionimin e institucionit, duke ngritur dyshime për keqmenaxhim të fondeve publike dhe shkelje të procedurave ligjore.
Drejtoresha e ISHP-së, Marija Andonovska, bëri të ditur se auditimi i brendshëm dhe ai i kryer nga Zyra e Auditimit të Shtetit kanë evidentuar mungesën e pajisjeve të prokuruara me para publike, kontrata të dyshimta dhe pagesa të paligjshme, tranmeton Fakti ditor.
Sipas gjetjeve, një kabllo rrjeti me vlerë prej 15 mijë eurosh është blerë, por nuk ekziston asnjë evidencë se ku ka përfunduar. Gjithashtu, janë konstatuar kompjuterë, laptopë dhe telefona celularë për të cilët ekzistojnë vetëm kërkesat për prokurim, ndërsa mungojnë dokumentet që tregojnë se kujt i janë dorëzuar.
Auditimi ka zbuluar edhe kontrata për shërbime telekomunikacioni të lidhura në vlera dy herë më të larta se ato të planifikuara, si dhe pagesa të shumta të shtesave në paga, shpërblimeve dhe kompensimeve të tjera që dyshohet se janë kryer në kundërshtim me ligjin.
Një nga rastet më të diskutueshme është shpenzimi i rreth 50 mijë eurove për një aktivitet që zgjati vetëm një orë, organizuar për shënimin e 100-vjetorit të Institutit të Shëndetit Publik.
“Nuk gjetëm pothuajse asnjë proces që të ishte realizuar plotësisht në përputhje me ligjin dhe rregulloret. Institutin e trashëguam me llogari të zbrazët dhe me borxhe mbi 50 milionë denarë, ndërsa sot kemi shlyer një pjesë të madhe të detyrimeve dhe në llogari ndodhen rreth 150 milionë denarë”, deklaroi Andonovska.
Ajo shtoi se të gjitha parregullsitë janë raportuar në institucionet kompetente. Me kërkesë të vetë menaxhmentit është kryer auditim nga Zyra e Auditimit të Shtetit, ndërsa më shumë se 20 dosje me dokumentacion janë dorëzuar edhe në Njësinë Kundër Korrupsionit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ndërkohë, Zyra e Auditimit të Shtetit ka dhënë opinion të pafavorshëm për raportet financiare dhe funksionimin e ISHP-së për vitin 2024, duke evidentuar dobësi serioze në menaxhimin financiar, mbajtjen e evidencave dhe zbatimin e programeve të shëndetit publik.
Mbetet të shihet nëse institucionet përgjegjëse do të ndërmarrin hapa konkretë për të zbardhur përgjegjësitë dhe për të sanksionuar personat e përfshirë në këto parregullsi.


