DRONËT GODASIN AEROPORTIN E KUVAJTIT, PEZULLOHET TRAFIKU AJROR

Aeroporti Ndërkombëtar i Kuvajtit është goditur nga dronë të dyshuar iranianë, duke shkaktuar të plagosur dhe dëme të konsiderueshme materiale, sipas njoftimeve të autoriteteve të vendit.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, forcat e armatosura të Kuvajtit njoftuan se terminali i pasagjerëve “T1” ishte objektiv i sulmit, ndërsa ekipet e emergjencës u angazhuan menjëherë për menaxhimin e situatës.

Reklame

Autoriteti i Aviacionit Civil konfirmoi pezullimin e përkohshëm të trafikut ajror, me fluturimet që janë devijuar drejt aeroporteve alternative në rajon. Agjencia shtetërore e lajmeve KUNA raportoi se është aktivizuar plani i emergjencës për përballimin e pasojave të incidentit.

Sipas informacioneve paraprake, sulmi ka shkaktuar dëme në infrastrukturën e aeroportit dhe ka lënë disa persona të plagosur, megjithëse ende nuk është publikuar një bilanc i plotë i viktimave.

Ndërkohë, Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) bëri të ditur se disa raketa iraniane të lëshuara drejt vendeve të Gjirit janë neutralizuar ose nuk kanë arritur objektivat e tyre. Sipas të njëjtit burim, raketa të drejtuara drejt Bahreinit janë interceptuar nga forcat amerikane dhe ato bahrejnase.

Po ashtu, ushtria amerikane ka njoftuar për operacione ushtarake kundër objektivave iraniane në ishullin Qeshm, duke pretenduar se janë shkatërruar raketa balistike dhe dronë të përdorur në sulme.

Situata në rajon mbetet e tensionuar, ndërsa autoritetet e Kuvajtit dhe aleatët e tyre po vazhdojnë hetimet dhe po marrin masa shtesë sigurie pas incidentit që tronditi një nga aeroportet më të rëndësishme të Gjirit.

By admin