Policia e Kosovës e ka suspenduar nga puna rreshterin e saj, i cili nuk kishte deklaruar se ishin “sulmuar” nga Sami Lushtaku, derisa gjendej në eskortën e kryeministrit Kurti.
Gëzim Millaku, pjesëtar i mbrojtjes së afërt në kuadër të Policisë së Kosovës, është suspenduar të mërkurën, raporton VOX Kosova. Supsendimi i tij ka ndodhur përafërsisht dy javë pas publikimit të raportit policor lidhur me “incidentin” ku thuhej se ishte përfshirë Lushtaku.
Megjithatë, raporti i Millakut, si rreshter i Policisë së Kosovës, mohonte deklarimet e kryeministrit Kurti se kinse Lushtaku e ka sulmuar eskortën e tij.
Në raportin policor të cilin e kishte publikuar Radio Televizioni Publik, Millaku mes të tjerash kishte deklaruar se “vetura e dyshuar (e Sami Lushtakut) ka bërë vetëm kyçje të vrullshme, por nuk ka rrezikuar eskortën e kryeministrit Albin Kurti”.
Në raport thuhej se nuk kishte elemente të ndonjë vepre penale apo kundërvajtje kundër sigurisë së trafikut publik, ndërkaq Lushtaku e kishte paditur për shpifje kryeministrin Kurti pas deklaratës së tij në KTV ku e akuzonte kryetarin e Skenderajt për sulm.


