Kroacia i vendos kushte Malit të Zi për anëtarësimin në BE?!

Zagreb, 7 qershor – Mali i Zi vazhdon të konsiderohet kandidati më serioz për t’u bërë anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian, por rruga drejt anëtarësimit mund të ndërlikohet nga një sërë kërkesash dypalëshe të paraqitura nga Kroacia.

Këto kërkesa u artikuluan nga kryeministri kroat Andrej Plenkoviq gjatë Samitit BE–Ballkani Perëndimor të mbajtur në Tivat.

Sipas Zagrebit, Podgorica duhet të zgjidhë disa çështje të hapura para se të avancojë më tej në procesin e integrimit evropian. Kroacia kërkon kompensimin e ish-të burgosurve të kampeve të luftës dhe rregullimin e kësaj çështjeje përmes një marrëveshjeje të veçantë dypalëshe.

Po ashtu, në listën e kërkesave përfshihen zgjidhja e çështjeve pronësore të familjeve kroate, statusi i pllakës përkujtimore në ish-kampin Morinj, si dhe përcaktimi i pronësisë mbi anijen shkollore “Jadran”.

Ndër temat që Zagrebi kërkon të mbyllen janë edhe përcaktimi përfundimtar i kufirit mes dy shteteve, ndjekja penale e autorëve të krimeve të luftës dhe avancimi i procesit të kërkimit të personave të zhdukur.

Kroacia pret vazhdimin e dialogut konstruktiv dhe progres konkret në negociatat për këto çështje, duke i konsideruar ato pjesë të rëndësishme të marrëdhënieve dypalëshe.

Megjithatë, kërkesat kroate kanë shkaktuar reagime të forta në Mal të Zi. Një pjesë e opinionit publik dhe e skenës politike i kanë cilësuar ato si një formë presioni politik apo ultimatumesh, duke bërë krahasime me bllokadat që Bullgaria i ka vendosur Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit evropian.

Për shumë analistë në rajon, zhvillimi i fundit ngre sërish pyetjen nëse mosmarrëveshjet dypalëshe po shndërrohen në instrument për të kushtëzuar zgjerimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Përcjell faktiditor.info

By admin