Pesë persona mbetën të plagosur pas një sulmi me thikë në stacionin kryesor hekurudhor Penn të New Yorkut, teksa policia arrestoi të dyshuarin pak pas incidentit.
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të New Yorkut, një nga të plagosurit ndodhet në gjendje të rëndë, dy persona kanë pësuar lëndime të moderuara, ndërsa dy të tjerë kanë marrë plagë të lehta. Të gjithë të lënduarit u transportuan për trajtim në Spitalin Bellevue.
Departamenti i Policisë së New Yorkut njoftoi se autori i dyshuar u arrestua pas një ndjekjeje të shkurtër pas sulmit, i cili ndodhi rreth orës 19:00 sipas kohës lokale.
Sipas informacioneve paraprake të siguruara nga autoritetet dhe të raportuara nga mediat amerikane, ngjarja po trajtohet si një akt i rastësishëm dhune. Burime të zbatimit të ligjit thanë se i dyshuari dyshohet se ishte në gjendje të rënduar emocionale në momentin e sulmit.
Incidenti ndodhi në një kohë kur autoritetet e New Yorkut kanë shtuar masat e sigurisë përpara pranisë së Presidentit amerikan Donald Trump në ndeshjen e tretë të finales së NBA-së mes New York Knicks dhe San Antonio Spurs.
Stacioni i Pensilvanisë, ose siç njihet Penn, një nga nyjet më të mëdha të transportit në Shtetet e Bashkuara, ndodhet direkt poshtë Madison Square Garden, arena ku do të zhvillohet ndeshja. Për shkak të pranisë së Trump, autoritetet kanë njoftuar masa shtesë sigurie, përfshirë ndalimin e çantave dhe anulimin e aktiviteteve të planifikuara jashtë arenës.

