Sala Jashari me mesazh prekës për Sahit Jasharin: Faleminderit për gjithçka, mixhë

Kandidatja për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Sala Jashari, ka reaguar me pikëllim të thellë pas ndarjes nga jeta të Sahit Jasharit, duke e kujtuar atë si një figurë të shquar të historisë së Kosovës dhe simbol të dashurisë për atdheun.

Përmes një dedikimi emocional, ajo ka shprehur vështirësinë për të gjetur fjalët e duhura në këto momente dhimbjeje, duke e cilësuar Sahit Jasharin si një njeri të fortë, të formuar nga guximi dhe përkushtimi ndaj lirisë.

“Vështirë të flas. Në raste të tilla, fjalët heshtin dhe qetësia sfidon edhe psherëtimat. Ti, njeri i çeliktë, i farkëtuar nga guximi dhe dashuria për atdheun. Jetove një jetë plot vepra, e emri yt ka peshë të madhe për ne; je pjesë e historisë së Kosovës”, ka shkruar Jashari.

Ajo ka theksuar se kujtimi dhe vepra e Sahit Jasharit do të mbeten trashëgimi e çmuar për brezat e ardhshëm, duke e quajtur atë “qëndistar të lirisë” dhe motiv për të vazhduar dashurinë ndaj vendit.

“Ti do të mbetesh motiv për ne dhe, për shumëkënd, arsyeja që na mban të vazhdojmë ta duam vendin tonë. Lavdi jetës dhe veprës sate! Faleminderit për gjithçka mixhë!”, ka përfunduar ajo.

Mesazhi i Sala Jasharit vjen në kohën kur shumë qytetarë, bashkëluftëtarë dhe personalitete publike po shprehin respektin dhe mirënjohjen e tyre për jetën dhe kontributin e Sahit Jasharit në rrugën e Kosovës drejt lirisë.

By admin7