Gazetarët e akuzojnë Komisionin Evropian për fshehjen e informacioneve të rëndësishme, kanë një thirrje për von der Leyen

Media, shoqata gazetarësh dhe organizata për lirinë e shtypit i kanë bërë thirrje Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që të përmirësojë qasjen e gazetarëve në dokumentet e këtij institucioni. Ato paralajmërojnë se pritjet e gjata, refuzimi i kërkesave dhe fshirja e tepruar e pjesëve të dokumenteve pengojnë raportimin mbi çështje me interes publik.

Në një letër të hapur drejtuar Von der Leyen-it, nënshkruesit deklarojnë se Komisioni Evropian dështon t’u ofrojë gazetarëve dokumentet e nevojshme për të hetuar çështje me interes publik – përfshirë shqyrtimin e interesave financiare dhe politike që ndikojnë në jetën e qytetarëve të BE-së.

“Kërkesat e gazetarëve për qasje në dokumente përballen me vonesa serioze. Pas një pritjeje të gjatë, qasja mund të refuzohet mbi baza të diskutueshme, ose gazetarët mund të marrin dokumente ku janë fshirë aq shumë pjesë, saqë prej tyre nuk mund të nxirret asnjë informacion i qartë,” thuhet në letër. Aty shtohet gjithashtu se, në disa raste, Komisioni Evropian nuk arrin t’i ruajë apo arkivojë siç duhet dokumentet kyçe.

Nënshkruesit paralajmëruan se debati publik në mbarë Evropën po minohet, duke i lënë qytetarët pa informacione thelbësore për vendimmarrjen politike në momente kritike.

Ata vlerësuan se kjo gjë dëmton edhe reputacionin e Komisionit Evropian si një institucion që mbron vlerat demokratike të BE-së – veçanërisht në një kohë kur normat demokratike në mbarë botën ndodhen nën presion.

Letra, e publikuar nga portali EUObserver, është nënshkruar nga 16 media, shoqata dhe organizata, përfshirë Follow the Money, Investigate Europe, Federatën Evropiane të Gazetarëve, Federatën Ndërkombëtare të Gazetarëve, Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve, Institutin Ndërkombëtar të Shtypit, Projektin për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP) dhe PEN International.

Si shembuj të rasteve kur gazetarët janë përballur me pengesa për të pasur qasje në dokumente thelbësore për hetimin e çështjeve me interes publik, EUObserver përmendi mënyrën se si shtetet anëtare kanë shpenzuar miliarda euro nga fondet për rimëkëmbjen pas pandemisë COVID-19; …mungesa e transparencës së Komisionit Evropian lidhur me bashkëpunimin e tij me Izraelin në fushat e kërkimit dhe armatimeve; si dhe fakti që Ursula von der Leyen nuk i ruajti korrespondencat e saj me drejtorin ekzekutiv të Pfizer-it.

Portali vë në dukje gjithashtu se Komisioni Evropian e refuzoi kërkesën e tij për bërjen publike të 17 dokumenteve që kanë të bëjnë me shpenzimin e fondeve të BE-së për projekte infrastrukturore në Gaza – një çështje që ka çuar në hapjen e një hetimi nga Avokati i Popullit Evropian.

Nënshkruesit i kanë bërë thirrje Komisionit që të shfuqizojë rregullat e brendshme procedurale të miratuara në vitin 2024 – të cilat, sipas tyre, pengojnë qasjen në dokumente – dhe të sigurojë zbatimin konsekuent të rregullores që rregullon qasjen publike në dokumentet e BE-së. Ata kërkuan gjithashtu që Komisioni të publikojë rregullisht të dhëna mbi kërkesat e gazetarëve për qasje në informacion – përfshirë kohën e pritjes – dhe të mbështesë punën e Avokatit të Popullit Evropian në vlerësimin nëse vendimet për të mos dhënë informacion ishin të nevojshme dhe proporcionale.

Ndër kërkesat është edhe krijimi i një regjistri elektronik publik gjithëpërfshirës të dokumenteve, i cili duhet të përfshijë të gjitha dokumentet legjislative dhe përgatitore, si dhe dokumentet që janë bërë tashmë publike në përgjigje të kërkesave për qasje në informacion.

Nënshkruesit bënë thirrje gjithashtu për rivendosjen e një plani veprimi që synon përmirësimin e qasjes së gazetarëve në informacion.

Sipas tyre, ky plan duhet të përfshijë zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit Evropian lidhur me afatet për trajtimin e kërkesave për qasje në dokumente, si dhe respektimin e plotë të vendimeve të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së në lidhje me qasjen në dokumente.

Për më tepër, ata kërkuan përmirësime në procedurat e brendshme për regjistrimin dhe arkivimin e dokumentacionit, si dhe forcimin e kapaciteteve të Komisionit për të trajtuar kërkesat për qasje në dokumente në mënyrë të shpejtë dhe efikase.

Tom Gibson nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, nismëtari kryesor i kësaj letre, deklaroi se ndonëse Komisioni Evropian pretendon se mbron lirinë e shtypit – si brenda Evropës ashtu edhe përmes politikës së tij të jashtme – ai “në fakt po përpiqet të krijojë pengesa për zhvillimin e një mjedisi të favorshëm për gazetarët që raportojnë mbi institucionet e tij, me sa duket me qëllim ruajtjen e kontrollit mbi narrativën zyrtare”.

“Kjo duhet të ndryshojë; përndryshe, Komisioni Evropian rrezikon të akuzohet për përdorimin e standardeve të dyfishta,” vuri në dukje Gibson, siç raportohet nga EUObserver.