Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zhvilluar një operacion të gjerë ndaj një grupi të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik narkotikësh dhe pastrim parash. Në kuadër të hetimeve janë sekuestruar pasuri dhe fonde me vlerë mbi 128 milionë euro.
Sipas vendimit të Gjykatës të datës 10 qershor, janë bllokuar llogari bankare të kompanisë “Albanian Land Development”, një nga administratorët e së cilës është Redi Struga. Hetuesit dyshojnë se fondet e sekuestruara janë përdorur në transaksione të ndryshme për blerjen dhe shitjen e tokave në zonën e Zvërnecit.
Burime pranë hetimit bëjnë të ditur se përgjimet e realizuara nga SPAK, të cilat dokumentonin biseda mes anëtarëve të grupit kriminal të lidhur me vëllezërit Koçeku, kanë luajtur rol kyç në zbulimin e skemës së dyshuar të pastrimit të parave.
Në dosje përmendet edhe biznesmeni Artur Shehu, i cili zotëron një pjesë të konsiderueshme të tokave në Zvërnec. Sipas hetimeve, kompania “Albanian Land Development” ka shërbyer si ndërmjetëse në marrëdhëniet me kompanitë e vëllezërve Al-Kajat nga Katari.
Mes personave të arrestuar ndodhet edhe Orgest Biçaj, pronar i kompanisë së automjeteve luksoze “Top Seven”. Burimet bëjnë të ditur se SPAK ka nisur sekuestrimin e automjeteve të kompanisë në kuadër të hetimeve për pastrim parash.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur të gjithë rrjetin financiar dhe personat e përfshirë në këtë skemë të dyshuar kriminale.

