Ish-komandanti i UÇK-së, Sahit Jashari, është varrosur me nderime të larta në vendlindjen e tij, Prekazi i Skenderajt.
Në varrimin e tij morën pjesë shumë qytetarë dhe bashkëluftëtarë të tij. Të pranishëm ishin edhe Sami Lushtaku e Ali Ahmeti.

Jashari ishte luftëtar i orëve të para, si komandant i UÇK-së, si dhe një ndër shokët dhe bashkëluftëtarët më të ngushtë të Komandantit Legjendar, Adem Jashari.
Jashar-in e ka kujtuar edhe ish-Presidenti i Kosovës që gjendet në Hagë, Hashim Thaçi, ndërsa nuk ka munguar as kurora në emër të tij.

“Jetove me nder, luftove me heroizëm dhe u përjetësove me veprën tënde. U prehsh në paqe, hero i UÇK-së!”, kurora mbi varrin e Sahit Jasharit e vendosur në emër të Hashim Thaçit.
Në mbledhjen komemorative u vlerësua kontributi i tij i jashtëzakonshëm në rrugën drejt lirisë së Kosovës dhe përkushtimi i tij i pandërprerë ndaj çështjes kombëtare.
Po ashtu, nuk munguan as përfaqësues nga institucione të ndryshme të vendit.
Në emër të Organizatës së Veteranëve të Luftës(OVL) së UÇK-së foli Gazmend Syla.
“Vëllai Sahit, i paske dashur heronjtë më shumë se këtë botë dhe më shumë se ne. Të paska marrë malli për prindërit dhe bashkëluftëtarët, e sot ke vendosur ta festosh ditën e çlirimit me ta. Ditë që për ne, sa herë të vijë koha të të kujtojmë ty, komandant, do të na bëjë ta mbajmë peshën e dhimbjes për sa të jetë jeta. Komandant, jemi bërë rresht për të të përcjellë në përjetësi, për ta mbajtur gjithmonë në mend shpirtin tënd të madh dhe guximin me të cilin e pagove lirinë e shqiptarëve. Po lë pas një popull të lirë dhe një emër që është gdhendur në histori”, tha Syla./Nacionale

