Pas mesnatës ka ndërruar jetë veterani i gazetarisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, publicisti dhe intelektuali i njohur Nijazi Muhamedi, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në fushën e medias, publicistikës dhe kulturës shqiptare.
Nijazi Muhamedi lindi në vitin 1947 në fshatin Xhepçisht të Tetovës. Shkollën e mesme e kreu në Tetovë, ndërsa Fakultetin Juridik në Universitetin e Beogradit. Me gazetarinë nisi të merrej që në bankat e shkollës së mesme, duke bashkëpunuar me gazetat “Flaka e Vëllazërimit”, “Zëri i Rinisë”, “Rilindja” dhe media të tjera shqiptare.
Gjatë karrierës së tij ishte lektor në “Flakën e Vëllazërimit”, profesor i gjuhës shqipe në Gjimnazin e Tetovës, ndërsa më pas iu bashkua Radiotelevizionit të Maqedonisë, ku ushtroi detyrat e lektorit, redaktorit dhe gazetarit në programin në gjuhën shqipe. Në periudhën 1996–1998 u bë zëvendësdrejtori i parë shqiptar i përgjithshëm i RTVM-së, ndërsa deri në pension shërbeu si këshilltar i drejtorit të përgjithshëm.
Muhamedi ishte gjithashtu autor i disa veprave publicistike, ndër to “Fjala në shteg”, “Punët e këtushme”, “Vështrime në anën përballë” dhe “Maqedonia shqiptare”, përmes të cilave dha një kontribut të rëndësishëm në trajtimin e çështjeve shoqërore, kombëtare dhe kulturore.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka pikëlluar familjen, kolegët, miqtë dhe komunitetin e gazetarëve shqiptarë, të cilët e vlerësojnë Nijazi Muhamedin si një nga figurat më të respektuara të gazetarisë dhe publicistikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Tetovasot u shprehë ngushëllime familjes Muhamedi, miqve dhe gjithë komunitetit të gazetarëve. U prehtë në paqe.

