Më së shumti shi ra në Shkup dhe Kumanovë, sot rikthehen reshjet dhe moti i ligë

Reshjet më të mëdha në 24 orët e fundit u regjistruan në disa pjesë të Shkupit – në Çreshevë u matën 74 litra për metër katror, në Lisiçe 63, ndërsa në Gazi Babë 44 litra për metër katror.

Deri në orën 08:00 të mëngjesit të sotëm janë matur edhe 32 litra për metër katror në Kumanovë, 29 në Kriva Pallankë, 22 në Berovë, 18 në Strumicë dhe në Shkup – Zajçev Rid, 16 në Kodrën e Diellit, 13 në Shkup – Karposh, 12 në Pretor, 11 në Shkup – Gjorçe Petrov dhe Demir Kapi, 10 në Gjevgjeli, 9 në Kavadar, 8 në Veles, 7 në Shkup – Petrovec, 5 në Tetovë, si dhe 3 litra për metër katror në Vinicë, Mavrovë dhe Gjurishtë.

Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM) thekson se këto vlera janë matur në stacionet pluviometrike të institucionit, ndërsa për shkak të karakterit lokal të proceseve atmosferike, sasia e reshjeve mund të ndryshojë ndjeshëm nga një zonë në tjetrën dhe në disa vende mund të ketë qenë dukshëm më e madhe se ajo e regjistruar.

Paraditja do të jetë me mot pjesërisht të vranët dhe me paraqitje të mjegullës në disa lugina, ndërsa pasdite pritet mot jostabil me reshje lokale shiu dhe bubullima. Në disa zona do të ketë procese më intensive me reshje të rrëmbyeshme (mbi 15 l/m²), bubullima, erë të fuqishme (mbi 60 km/h) dhe mundësi për breshër afatshkurtër. Temperatura maksimale do të lëvizë nga 27 deri në 35 gradë Celsius.

Në Shkup pritet mot me vranësira të ndryshueshme dhe jostabil, me reshje të herëpashershme shiu, bubullima dhe erë të përforcuar. Në disa pjesë të luginës ka kushte për mot të ligë afatshkurtër, me reshje më intensive dhe paraqitje të breshrit. Temperatura maksimale do të arrijë deri në 32 gradë Celsius.

By admin7