Mickoski paralajmëron tregtarët: Do të ketë masa për marzhet e rritura

Kryeministri Hristian Mickoski sot deklaroi se në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës së shpejti do të mbahet takim me tregtarët, por edhe se është bërë analiza për çmimet dhe marzhet e rreth 600 deri 700 produkteve.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve gjatë inspektimit të aktiviteteve ndërtimore për rindërtimin e Shkollës së Mesme “Shën Klimenti i Ohrit” në Ohër, Mickoski tha se në afat sa më të shkurtë do të ndërmerren masa adekuate.

“Presim në periudhë më të shkurtë të mundshme ata të cilët i kanë rritur pak marzhet e tyre në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar nga 2 në 5 për qind, flas për ato marzhe ekzistuese të fitimit bruto prej 10 për qind. Të themi, nëse marzhet ishin 10 për qind, tani janë 12 ose 15. Ata do të paralajmërohen”, tha Mickoski.

Ai theksoi se Qeverinë e inkurajojnë të dhënat më të reja për inflacionin, duke cekur se në qershor ai ishte 3,4 për qind, që sipas tij është niveli më i ulët në rajon.

“Në pjesën e ushqimit dhe pijeve joalkoolike inflacioni është 2,5 për qind, ndërsa tek veshmbathjet 2,1 për qind. Drajver më i madh do të thisha janë tek duhani dhe prodhimet e duhanit dhe alkooli, si dhe transporti për shkak të luftës në Gji dhe shpenzimet e rritura të kompanive transportuese dhe tur-operatorëve”, theksoi kryeministri.

Mickoski vlerësoi se treguesit e këtillë paraqesin sukses në kushte të paqartësisë globale ekonomike dhe përkujtoi se në qershor të vitit 2022, kur filloi lufta në Ukrainë, inflacioni kishte arritur 14 deri 15 për qind.

By admin7