Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, e cila shërbeu edhe si këshilltare e jashtme në kabinetin e Presidentes Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj letrës së Presidentit të ShBA-vë drejtuar Vjosa Osmanit.
Sipas, Haradinajt, letra e Trump është sinjal i qartë, se busulla politike e Kosovës dhe popullit të saj mbetet e drejtuar kah aleatët strategjik.
E plotë:
SINJALE TË QARTA NGA ËASHINGTONI
Ka momente në jetën publike që shkojnë përtej protokollit diplomatik dhe rikujtojnë forcën e aleancave që formësojnë të ardhmen e një vendi.
Letra e Presidentit amerikan Donald J. Trump për Presidenten Vjosa Osmani riafirmon qartë partneritetin strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Rruga e Kosovës është e lidhur ngushtë me aleatët që qëndrojnë në krah të lirisë, sovranitetit, dhe vlerave demokratike. Është e lidhur ngushtë me Amerikën. Vlerësimi për lidershipin e Presidentes Osmani dëshmon se Kosova është tashmë një kontribuese aktive në promovimin e paqes dhe stabilitetit global. Është faktor që merret seriozisht në tavolinat ku përcaktohen drejtimet e mëdha gjeopolitike – siç ishte puna e Presidentes me Bordin e Paqes dhe mundësia historike për të dërguar ushtrinë tonë në Gaza, duke e rreshtuar me ushtrinë amerikane.
Garanca amerikane për Kosovën tonë do të ruhet dhe do të mbetet busull e qëndrueshme për të ardhmen, duke orientuar shtetin tonë drejt sukseseve të reja dhe duke forcuar çdo hap në shërbim të popullit të saj.


