BDI: Përjashtimi i shqiptarëve po bëhet standard qeverisjeje, edhe komisionet profesionale mbeten pa përfaqësim

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për formimin e Komisionit Profesional për shqyrtimin e rasteve të pacientëve me sëmundje malinje në Klinikën Universitare të Hematologjisë, duke theksuar se në përbërjen e tij nuk është emëruar asnjë mjek shqiptar.

Sipas BDI-së, ky vendim nuk përbën një rast të izoluar, por është vazhdim i, siç e cilëson partia, një politike dyvjeçare të spastrimit institucional dhe përjashtimit sistematik të shqiptarëve nga institucionet shtetërore.

Në reagimin e saj, BDI thekson se gjatë dy viteve të fundit shqiptarët janë larguar nga pozitat vendimmarrëse dhe janë përjashtuar nga bordet, komisionet, këshillat drejtuese dhe organet e ndryshme shtetërore. Sipas partisë, listës së këtyre rasteve tashmë i është shtuar edhe komisioni profesional që vendos për trajtimin e pacientëve me sëmundje malinje.

“Kjo nuk është rastësi. Është politikë. Është dëshmi se Qeveria VMRO-VLEN po ndërton institucione monoetnike, ndërsa VLEN, në vend që të mbrojë përfaqësimin e shqiptarëve, hesht dhe legjitimon çdo vendim diskriminues”, thuhet në reagim.

BDI kritikon gjithashtu VLEN-in për premtimet e dhëna lidhur me Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, duke vlerësuar se ato nuk janë reflektuar në praktikë.

“Sot nuk janë në gjendje të sigurojnë as përfaqësimin minimal të shqiptarëve në komisionet profesionale të Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo është prova më e qartë se premtimet e tyre ishin propagandë, ndërsa realiteti është përjashtimi sistematik i shqiptarëve nga institucionet”, thekson BDI.

Në fund të reagimit, partia kërkon rishikimin e menjëhershëm të vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe rikthimin e parimit kushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në institucionet shtetërore.

“Shqiptarët nuk do të pranojnë të trajtohen si të padukshëm në institucionet që i financojnë dhe që duhet t’u shërbejnë të gjithë qytetarëve njësoj”, përfundon reagimi i BDI-së.

By admin7