Në pikën kufitare të Tabanocit, te një shtetas hungarez janë zbuluar 200.000 euro, të cilat ai ishte përpjekur t’i fuste ilegalisht në Maqedoninë e Veriut, njoftoi Drejtoria e Doganave.
Për shkak të dyshimeve, automjeti i tij u përzgjodh për kontroll. Gjatë kontrollit të detajuar, në një çantë të zezë prej pëlhure, të vendosur mes ulëseve pranë levës së ndërrimit të shpejtësive, u gjetën 65.000 euro.
Gjatë kontrollit të mëtejshëm, në një çantë shpine që ndodhej në ulësen e pasme të automjetit, nën një kompjuter, u zbulua një çantë e vogël e zezë me 37.650 euro.
Ndërkaq, në një valixhe të vendosur gjithashtu në ulësen e pasme, mes rrobave, u gjet edhe një çantë tjetër e zezë me 97.350 euro.
Nga shuma e përgjithshme prej 200.000 eurosh, të cilat nuk ishin deklaruar në doganë, pasagjerit i janë kthyer 10.000 euro, në përputhje me Ligjin për operacionet valutore. Pjesa tjetër, prej 190.000 eurosh, është mbajtur nga autoritetet doganore, me dëshmi për mbajtjen e mjeteve financiare.
Kundër personit është paraqitur kallëzim përkatës për kundërvajtje, njoftoi Drejtoria e Doganave.



